PSHDK:Pjella e atyre që zhvarrosën Skënderbeun nga Katedralja e Shënkollit në Lezhë, vazhdojnë të fyejnë simbolet tona kombëtare

Pjella e atyre që zhvarrosën Skënderbeun nga Katedralja e Shënkollit në Lezhë, vazhdojnë të fyejnë simbolet tona kombëtare
Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës edhe njëherë shpreh shqetësimin e saj lidhur me ndërhyrjet e vazhdueshme të politikës turke, e cila përmes historianëve, letrarëve, krijuesve dhe akademikëve, por edhe zyrtarëve dhe diplomatëve të lartë të shtetit, në mënyrë të drejtpërsëdrejtë atakon të kaluaren e lavdishme dhe trashëgiminë tonë, duke fyer personalitete të shquara të kombit tonë.
Erdoganizmi dhe erdoganistët edhe më tutje këmbëngulin që fryma e Rilindasëve tanë, e krijuar përmes zbardhjes së figurave të shquara të kombit shqiptar, duke ua dhënë vendin e merituar në historinë e popullit tonë dhe frymëzim për gjeneratat e kaluara, të tashme dhe të ardhme, të rishikohet e pse jo edhe të tjetërsohet dhe të zhbëhet.
Në këtë mënyrë, turqit e rinj, shfaqin pretendimin e tyre të hapur që edhe kjo pjesë e shqiptarëve, e shpëtuar nga shfarosja dhe katandisja në shkretëtirat e Anadollit dhe gjithandej Azisë, së paku të jetë lojale, e pastaj edhe të asimilohet duke u turqizuar i tëri.
Tanimë, Turqia duke i futur në grusht asetet kryesore të ekonomisë së Kosovës dhe një pjesë të mirë edhe të Shqipërisë, duke e varfëruar këtë popull edhe më shumë, ajo përmes hapjes së kolegjeve dhe shkollave-mejtepe në trojet shqiptare, ka kaluar në fazën e dytë-atë të tjetërsimit shpirtëror.

Nuk është e rëndësishme nëse historiani turk Talha Uğurluel e ka quajtur heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin, tradhtar dhe terrorist mu në gërmadhat e Katedrales në Lezhë prej nga ia zhdukën edhe kockat, apo në Prishtinë, Shkup a Preshevë, sepse ai është hero i gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë ata.
Erdoganistët marrin guximin edhe të na mësojnë se si të jetojmë dhe na i propozojnë dy variante: lojalë ndaj osmanllinjëve të vjetër e të rinj si “të ndershëm” apo tradhtar të ngjashëm me Gjergj Kastriotin.
Deri kur Akademia e Arteve dhe Shkencës së Shqipërisë dhe Kosovës, Instituti iHistorisë dhe segmente e nivele tjera akademike do të heshtin!? Heshtja shpeshherë është pajtim.

PSHDK-ja kërkon me ngulm që, pas çdo provokimi të natyrës së këtillë të thirret ambasadori turk në Tiranë a Prishtinë dhe t’i tërhiqet vërejtja e shprehet pakënaqësia për ndërhyrje në punët tona të brendshme, në të kundërtën bëhemi bashkëfajtor për përshkallëzimin eventual të situatës, sepse në trojet tona ende ka banorë që e ndien vedin vërtetë shqiptarë.
Zyra për informim e PSHDK-së

Temat
LajmeVend

Të afërta