Zhgënjehen tifozët shqiptarë, ky është numri i ulëseve në “Loro Boriçi”

Stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër ishte premtuar që do t’i ketë 20 mijë ulëse, por zyrtarisht ky numër u ul dhe u premtua që do të kishte 17500 të tilla për spektatorët, pa llogaritur tribunën e mediave.
“Panorama Sport” ka mësuar se numri ekzakt i vendeve në dispozicion të sportdashësve për të ndjekur një ndeshje në këtë impiant është 15919 stola.

Në krahasim me premtimin zyrtar të dhënë nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, impianti është zvogëluar me 1581 ndenjëse.

Nga përfundimi i punimeve me tribunat, është vënë re një “avullim” i më shumë se 1500 ndenjëseve, që nga premtimi i bërë nga drejtuesit e lartë të institucionit të futbollit në vend.

Momentalisht, ky impiant është duke përmbushur edhe detyrat e fundit që nevojiten për licencimin e tij nga UEFA dhe FIFA, në mënyrë që ky stadium të jetë i gatshëm për të pritur një takim ndërkombëtar.

I radhës për Kombëtaren është sfida e parë e eliminatoreve për në “Rusi 2018”. Më 5 shtator, kuqezinjtë do të presin Maqedoninë dhe deri në atë datë, ky impiant do të jetë plotësisht gati për zhvillimin e këtij takimi.

loro

Temat
LajmeRajonSportVend

Të afërta