Shtyhet votimi për liberalizim të vizave, shkak mosratifikimi i demarkacionit

Tanja Fajon, raportuese për regjimin pa viza për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe zv/presidente e Socialistëve dhe Demokratëve, i ka informuar deputetët evropianë të Komitetit LIBE se votimi për regjimin pa viza për Kosovën është shtyrë nga 12 korriku deri më 5 shtator.

Fajon ka thënë:

“E mora këtë vendim për ta shtyrë votimin për liberalizimin e vizave për Kosovën deri në shtator, duke më ardhur keq që shoh se nuk është bërë përparim i mjaftueshëm sa i përket përmbushjes së kritereve të fundit, veçanërisht ratifikimit të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. Sinqerisht, shpresoj se Parlamenti i Kosovës do ta ratifikojë këtë marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur, si dhe para pushimit veror, sepse kjo do të me lejonte mua të vazhdoj me votimin në vjeshtë, si dhe të siguroj përkrahjen e plotë të Komitetit përgjegjës për rekomandimin tim për t’i hequr vizat për Kosovën.

Po ashtu, do t’i vazhdoj përpjekjet e mia për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e saj për lëvizje pa viza, sepse lëvizja e lirë, përfshirë udhëtimi pa viza në vendet Schengen është ajo çka njerëzit meritojnë, posaçërisht rinia”.

Pasi kam mbajtur disa takime bisedimesh me zyrtarët e BE-së dhe Kosovës përgjatë disa javëve të fundit në një përpjekje për ta çuar Kosovën më tej në rrugën e saj evropiane, kam ardhur në përfundim se topi tani është në anën e Parlamentit të Kosovës. Unë besoj fuqishëm se me ratifikimin e marrëveshjes së kufirit, Parlamenti Evropian do të jetë në gjendje të japë përkrahjen e tij për heqjen e vizave për Kosovën kah fundi i këtij viti.

Kjo do të ishte një lëvizje vendimtare për qytetarët e Kosovës, të cilët ende jetojnë brenda kufijve të mbyllur. Unë e kuptoj ndjeshmërinë e debatit në Parlament, por po ashtu e kam garantimin e plotë të Qeverisë se ratifikimi do të ndodhë në kohën e duhur.

Tani është koha të veprohet. U bëj thirrje politikanëve përgjegjës në Kosovë që ta bëjnë këtë hap final dhe ta hapin derën për lëvizje pa viza. Si raportuese, do të bëj gjithçka në fuqinë time për të siguruar një votë pozitive në Parlamentin Evropian sepse jam e bindur se Kosova meriton heqjen e vizave.

Do të vazhdojmë të punojmë së bashku. Jap përkrahjen time për të arritur këtë hap historik për Kosovën dhe në veçanti për gjeneratat e reja të saj.”

Temat
LajmeVend

Të afërta