Regjisorja Nura jep arsyet pse hyri në politikë me Haradinajn

Regjisorja Elmaze Nura sot zyrtarisht i ka hyrë politikës duke u anëtarsuar në partinë e Ramush Haradinajt.
Nura fillimisht ka uruar Bajramin dhe ka treguar se në këtë ditë feste ajo gjendet me një angazhim të ri, siç ka thënë, “në vazhdën e një rrugëtimi të suksesshëm në botën akademike dhe artistike”, shkruan lajmi.net

Regjisorja po konsideron se nëpërmjet teatrit mund të shtohen ndjeshmëritë ndaj dukurive negative, ndërkaq përmes politikës mund të arrihet ndryshim i madh.

“E shqetësuar me degradimin që nuk po ndalet në vendin tonë, kam vendosur të angazhohem në jetën politike, me shpresën se do të arrijmë të bëjmë gjëra të mira për vendin”, ka deklaruar Nura.

“Nëse heshtim, e keqja do të lëshojë edhe më thellë rrënjët në shtetin tonë të ri. Nëse nuk veprojmë, gjërat do të përkeqësohen”.

Ajo ka zgjedhur Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pasi ka thënë se beson në lidershipin e këtij subjekti.

“Unë besoj se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është një parti e hapur për frymë të re, dhe kjo është një shtytje e fortë, që të jem pjesë e ekipit që udhëhiqet nga z. Ramush Haradinaj”, është shprehur Nura. /lajmi.net

Njoftimi i saj i plotë:

Të dashur miq

Së pari dëshiroj t’ju uroj Festën e Fitër Bajramit! Paqe, dashuri, harmoni, shëndet dhe lumturi paçi në jetën tuaj!

Dua t’ju njoftoj se kjo ditë feste më gjen me një angazhim të ri, në vazhdën e një rrugëtimi të suksesshëm në botën akademike dhe artistike.

Përmes teatrit, mund të shtojmë ndjeshmëritë ndaj dukurive të pakëndshme, ndërsa përmes përhapjes së dijeve, do të përgatisim profesionistë të zotë. Por, përmes politikës, mund ta bëjmë ndryshimin e madh.

E shqetësuar me degradimin që nuk po ndalet në vendin tonë, kam vendosur të angazhohem në jetën politike, me shpresën se do të arrijmë të bëjmë gjëra të mira për vendin.

Sot secili prej nesh është dëshmitar se si nëpërkëmben vlerat, nënçmohen njerëzit e zotë,shpërdorohet besimi i qytetarëve dhe nuk ka transparencë në institucione. Politika e gabuar, sigurisht ka vulën e saj kryesore në dukuritë negative që po e bëjnë Kosovën, një Republikë pa perspektivë.

Nëse heshtim, e keqja do të lëshojë edhe më thellë rrënjët në shtetin tonë të ri. Nëse nuk veprojmë, gjërat do të përkeqësohen.

Kam zgjedhur bashkëpunimin me AAK-në, sepse besoj në lidershipin e këtij subjekti, ndërsa bindjet e mia janë më afër qendrës së djathtë.

Kjo nuk është sfidë e lehtë për mua, duke pasur parasysh ambientin në të cilin jetojmë, megjithatë e konsideroj si një përpjekje për të bërë diçka më shumë për demokracinë dhe shtetin.

Politika është vërtet arti i qeverisjes, por sa pak art ka në fakt qeverisja aktuale!

Unë besoj se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është një parti e hapur për frymë të re, dhe kjo është një shtytje e fortë, që të jem pjesë e ekipit që udhëhiqet nga z.Ramush Haradinaj.

Falenderoj lidershipin e këtij subjekti, për vlerësimin që të jem pjesë e strukturave të larta drejtuese të AAK-së. Besoj së bashku, do ta bëjmë Kosovën më të mirë!

Temat
LajmeVend

Të afërta