Kosova dhe Franca bëjnë marrëveshje për përpunimin e ujërave të zeza

Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Financave i Qeverisë së Republikës së Francës, Michel Sapin kanë nënshkruar Protokollin Financiar ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Republikës se Francës, i cili i paraprin marrëveshjes financiare e cila do të ofroj mbështetje financiare për realizimin e projektit për përpunimin e ujerave të ndotura të qytetit të Prishtinës.
Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, ky projekt është pjesë e prioriteteve të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

“Mbështetja financiare do të shërbej për financimin e ndërtimit dhe operacionalizimin e uzinave të përpunimit të ujërave të ndotura. Kjo mbështetje jepet në formë huaje nga ana e Thesarit francez në shumën prej 66 milionë euro se bashku me financimin lokal të Qeverisë së Kosovës në shumën prej 20 milionë. Huaja i jepet Kosovës nga Franca me afat kohor prej 30 vitesh nga e cila 5 vitet e para janë pa detyrim shlyerje ndërsa pas 5 viteve interesi do të jetë 0.036%”, thuhet në komunikatë.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, nënshkrimin e protokollit financiar e vlerësoj lartë dhe shprehi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin edhe më të ngushtë me shtetin e Francës.

“Nënshkrimi i protokollit financiar tregon edhe njëherë përkushtimin e shtetit Francez për ta ndihmuar Kosovën në segmente të ndryshme te zhvillimit të saj dhe gjithashtu kjo marrëveshje shpreh gatishmërinë e Qeverisë së Kosovë për të krijuar kushte dhe për të siguruar një ambiente sa më të pastër për qytetarët e vendit”, shtoi ministri Avdullah Hoti.

Ndërsa, ministri francez i Financave Michel Sapin vlerësoi lartë nënshkrimin e marrëveshjes dhe theksoi se kjo marrëveshje është edhe një hap më tutje drejt forcimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.

Temat
LajmeVend

Të afërta