Reagon Aida Dërguti: Nuk jemi takuar me Kadri Veselin

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti ka reaguar pas publikimit të lajmit se kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka mbajtur takim të veçantë me deputetët e Vetëvendosjes.

Lajmin e botuar në zeri.info, Dërguti e ka quajtur të pavërtetë dhe shpifës.

“Kosovës vërtetë i mungon liria e shtypit për të thënë të vërtetat për pushtetin, por, çuditërisht ka gazeta e gazetarë të tillë që nuk hezitojnë të shpifin për Lëvizjen VETËVENDOSJE! Jam e shqetësuar me shpifjet që po bëhen nga disa portale rreth një takimi të imagjinuar mes meje, Glauk Konjufcës dhe Kadri Veselit”, ka shkruar Dërguti, transmeton lajmi.net.

Pjesa tjetër e reagimit të Aida Dërgutit:

Ky lajm i publikuar fillimisht në zeri.info dhe pastaj në lajmi.net (shih linkun mëposhtëm) është absolutisht i pavërtetë.

Ne kemi qenë sot në mbledhje të Kryesisë së Kuvendit dhe për asnjë moment nuk kemi pasur takim vetëm me Kadri Veselin, përveç mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Glauku bashkë me shefat e grupeve parlamentare si zakonisht, kane dalur nga mbledhja e Kryesisë më herët, për të vazhduar mëpastaj Kryesia e Kuvendit me pikat e tjera shtesë, që janë obligim i saj.

Liria e shtypit nënkupton lirinë për ta thënë të vërtetën dhe për ta informuar drejt opinionin publik. Por, çfarëdo shpifje për çkado dhe këdo, është abuzim me detyrën e gazetarit dhe gazetarisë së mirëfilltë. Madje, me ligj definohet si krim dhe është e dënueshme.

U detyrova të reagoj pasiqë portali zeri.info nuk pranoi ta sqarojë opinionin për dezinformimin që i kishte bërë, por vetëm e hoqi lajmin. Nevoja e portaleve për klikime, qoftë edhe me shpifje e në kurriz të individëve apo subjekteve politike, nuk përkon me etikën profesionale.

Si ithtare e lirisë së shtypit dhe profesionalizmit në gazetari, ia bëj me dije portalit zeri.net se më shumë sesa të na kërkoj falje neve, ua ka borxh kërkimfaljen opinionit, të cilin e dezinformoi me këtë shpifje.

Temat
LajmeVend

Të afërta