Flamuri i SHBA-ve ngritet në Prishtinë për nder të 4 korrikut

Organizata “Miqtë e Amerikës” e ka shënuar përvjetorin e pavarësisë së SHBA-ve, 4 Korrikun me një ceremoni solemne tek busti i Bill Clinton në Prishtinë.

Me këtë rast Garda Ceremoniale e FSK-së e ka ngritur edhe një flamur të SHBA-së në sheshin që mban emrin e ish presidentit amerikan..

Përfaqësuesi i organizatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se me këtë aktivitet tregojnë falënderimin që e ka populli i Kosovës për popullin amerikan.

Falënderim për shqiptarët shprehu edhe një pjesëtar i trupave të KFOR-it amerikan në Kosovë, Tod Jacobus, i cili tha se është i habitur nga rëndësia që i kushtohet kësaj feste në Kosovë.

“I falënderoj të gjithë që e kanë organizuar këtë shënim të ditës së Amerikës. Jam i befasuar nga kjo që e shoh sepse nuk e kam besuar që në Kosovë i kushtohet kaq rëndësi e madhe kësaj dite”, tha Jacobus.

Dita e Pavarësisë së SHBA-ve në Kosovë shënohet çdo vit me aktivitete simbolike në shenjë falënderimi për mbështetjen e shtetit tonë nga Amerika.

Gjatë ditës shoqata “Miqtë e Amerikës” do të zhvillojnë edhe disa aktivitete tjera në qytetin e Vushtrrisë.

Temat
LajmeVend

Të afërta