Çaushi i përgjigjet Veselit: Aksioni jonë nuk ka qenë kundër Malit të Zi

Një Qeveri kriminale dhe e korruptuar, e cila nuk ka fuqi ta ushtrojë sovranitetin në tërë territorin, nuk ka të drejtë të akuzojë Lëvizjen Vetëvendosje, për aksionin e marrë në kufi me Malin e Zi, për të treguar dëmin që po i shkaktohet Kosovës me demarkacionin.

Kështu tha për KosovaPress nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Çaushi, i cili iu përgjigj kritikave të kryeparlamentarit Kadri Veseli, sipas të cilit veprimet e VV, në kufi me Malin e Zi, ku kanë vendosur flamurin ditë më parë, janë fëmijërore dhe folklorizma.

Çaushi thotë se po të kishim një Qeveri të përgjegjshme para qytetarëve dhe para përgjegjësisë që ka si pushtet, për të kontrolluar dhe menaxhuar territorin e vet, nuk do të kishte nevojë që të kontestohet një gjë e tillë për dhjetë muaj.

Ndërsa thotë se aksioni politik ka qenë për të treguar gabimet që janë bërë dhe faljen potenciale të tokës Malit të Zi, të cilën po synon ta bëjë kjo qeveri.

“Një qeveri kriminale dhe e korruptuar, e cila nënshkruan marrëveshje antikushtetuese, e cila edhe pas 10 muajsh ku të gjitha dëshmitë, e të gjithë ekspertëve tregojnë se Malit të Zi i janë falur mbi 8 mijë e 200 hektarë dhe kjo nuk kontestohet nga asnjë burim profesional në nivelin ekspertësh, nuk ka të drejtë ta akuzojë lëvizjen Vetëvendosje që për shkak të kësaj pafuqie dhe papërgjegjësie të Qeverisë, për të ushtruar sovranitetin e vet në territorin e Republikës së Kosovës, ndërmori një aksion politik për të treguar dëmin që po i shkaktohet republikës së Kosovës, me marrëveshjen për demarkacionin”, tha Çaushi.

Çaushi thotë se deklaratat e tilla, me anë të cilave sulmohet VV, si qëllim kanë shmangien e vëmendjes nga problemi thelbësor. Sipas tij e rëndësishme është ruajtja e territorit, qoftë dhe me ndryshimin e raporteve.

“Treshja që e ka kapur shtetin e Kosovës, Veseli-Thaçi-Mustafa, do të duhej që në radhë të parë të përgjigjeshin para qytetarëve, se si është e mundur dhe për çfarë arsye këta nënshkruajnë një marrëveshje të tillë dhe për çfarë arsye, këta i falin territor ose kanë qëllimin t’i falin territor Malit të Zi. Çfarëdo shmangie nga kjo çështje është vetëm me qëllim për të shmangur vëmendjen nga problemi thelbësor. E rëndësishme për një pushtet është ruajtja e territorit, qoftë kjo edhe me çmimin e ndryshimit të raporteve. Asgjë që ne kemi bërë nuk është në kundërshtim me interesat e Malit të Zi. Ne vetëm po konstatojmë cila është vija kufitare, për të cilën ka një unanimitet nga të gjithë ekspertet, se ajo që ne e themi e cila është shkelur me këtë marrëveshje”, tha ai.

Ndërsa e quan absurde notën e protestës së Malit të Zi, pasi që sipas tij notë proteste për këtë çështje do të duhej të bënte Kosova.

“Absurditeti në këtë mes, është pse të kemi një notë proteste nga Mali i Zi dhe pse jo gjatë gjithë këtyre viteve, sidomos muajve të fundit të mos kemi nota proteste nga Republika e Kosovës për Malin e zi. Forcat e sigurisë së të cilit shtet patrullojnë brenda territorit të Kosovës. Pra patrullojnë në tetë km thellësi të territorit të Kosovës. Kjo është pyetja që duhet bërë zotit Veseli, Thaçi dhe Mustafa. Pra pse s’ka reagim. Pse s’ka notë proteste nga ana e kundërt që do të ishte legjitime në mbrojtje të territorit të Republikës së Kosovës”, tha Çaushi.

Ndërsa duke i komentuar deklaratat e Veselit, i cili veprimet e VV i quajti fëmijërore, Çaushi tha se fëmijërore dhe skandaloze është mungesa e një shteti potent.

“Mendoj që përkundrazi, është jo vetëm fëmijërore, por e papërgjegjshme dhe skandaloze, që në mungesë të një shteti potent, një shteti që i shërben interesave të qytetarëve dhe i shërben ruajtjes së territorit të vendit, duhet që VV të ndërmerr aksione politike, për të treguar se nuk do të lëshojmë pe në humbje të territorit për çfarëdo çmimi. Pra është e papërgjegjshme sjellja e palës së kundërt ose shtetit të Kosovës”, tha ai.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, kryetari Kadri Veseli tha se veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje në kufirin me Malin e Zi janë fëmijërore dhe folklorizma. /kp

Temat
LajmeVend

Të afërta