Apelon familja Aliu: Vdekja e Almirit të mos keqpërdoret mbi baza nacionaliste

Pas vdekjes së fëmijës 4 vjeçar, Almir Aliu nga Kumanova, si pasojë e goditjes me veturë qëllimisht pas një zënke banale mes babait të tij dhe të dyshuarit për vrasjen Bojan Iliq, rasti në fjalë ka shkaktuar reagime dhe revolta të shumta në publik.

Në rrjetet sociale vërehen komente të shumta që kërkojnë drejtësi për Almirin e vogël, përfshirë edhe ato nacionaliste dhe thirrje për protesta, raporton Anadolu Agency (AA).

Nijazi Aliu, kryefamiljar i familjes Aliu, për AA theksoi se familja e tij mbi 100 vite jetojnë në Kumanovë dhe asnjëherë më parë nuk kanë pasur probleme të tilla.

Ai duke falënderuar popullin shqiptar për mbështetjen ndaj familjes së tij në këto ditë të vështira, apeloi që rasti i Almirit të mos keqpërdoret në baza nacionaliste.

apel-familja-e-almirit_1467620245-5047362
Nijazi Aliu, kryefamiljar i familjes Aliu

“Mesazhi ynë është të ruhet qetësia, butësia, paqja dhe aq. Ne nuk drejtohemi mbi baza nacionale, nuk duam të hakmerremi për diçka. E vetmja gjë që duam është që drejtësia të dalë në shesh dhe krimineli që ka kryer këtë vepër të dënohet”, apeloi Aliu.

Gjatë ditës së nesërme në Kumanovë është paralajmëruar marsh protestues në kërkim të drejtësisë për Almirin, ku dhe do të bllokohen rrugët ku ndodhen institucionet e gjykatës, komunës dhe stacionit policor. Kryefamiljari Aliu thekson se nuk duan të jenë arsye e protestave të tilla.

“Me lejen tonë, unë nuk do të kisha thënë të organizohen protesta. Familja jonë nuk ka asnjë përgjegjësi në ato protesta. Kërkojmë nga organet kompetente drejtësi maksimale për Almirin tonë”, u shpreh Aliu.

Fëmija 4 vjeçar Almir Aliu ndërroi jetë të premten në klinikën e Shkupit, si pasojë e plagëve të marra si pasojë e goditjes me veturë qëllimisht nga i dyshuari Iliq. Gjykata Themelore e Kumanovës i ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarit, i cili ngarkohet me veprën penale “vrasje me tentim”.

Temat
LajmeRajon

Të afërta