UP do t’i regjistrojë fëmijët e dëshmorëve

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, sivjet pritet t’i regjistrojë fëmijët që e kanë njërin prind dëshmorë, e të cilët do të bëhen pjesë e listës së kësaj kategorie të paraparë me një memorandum të nënshkruar në mes të UP-së dhe organizatave të dala nga lufta, vite më parë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka thënë në një intervistë për KosovaPress se megjithëse nuk është vendosur ende në Senatin e UP-së, shpreson në një vendim të tillë.

“Prej kur e kam marrë këtë detyrë ka qenë një interesim, një përkushtim i imi që të iu ndihmoj vetëm fëmijëve të dëshmorëve, do të thotë fëmijë të cilët e kanë humbur njërin prind, jo të tjerëve, edhe shoqatave të dala nga lufta iu kam shpjeguar këtë koncept timin dhe ata janë pajtuar por varet prej Senatit se a do ta aprovoj. Edhe në këto momente që po flas jam duke u angazhuar dhe do të provoj, do ta shfrytëzoja autoritetin tim që në kuadër të Statutit t’iu mundësojmë kësaj kategorie, sepse unë mendoj që kjo kategori kërkon një respekt të veçantë, duhet të iu japim një respekt të veçantë por jam shumë i interesuar të arrijë që ta krijojmë një kuotë që këta fëmijë të pranohen në një mënyrë pak më të lehtë sepse në këtë mënyrë unë mendoj e kryejmë një detyrë”, ka deklaruar rektori.

Rektori Dema ka thënë se deri më tani i ka mbajtur të gjitha obligimet dhe premtimet që i ka dhënë dhe shpreson në përkrahjen e Senatit, në mënyrë që ta realizojë këtë vendim.

“Është gjenerata e parafundit, edhe vitin e ardhshëm edhe më nuk kemi gjeneratë dhe gjithkund në botë kjo kategori ndihmohet dhe do t’i lus edhe Senatin që të më përkrahin dhe nëse Senati më përkrah natyrisht do t’i regjistrojmë, nëse jo kjo mbetet vetëm një dëshirë deri tash i ka mbajt obligimet, besoj që Senati ka me më dëgjuar, më kanë respektuar dhe i respektoj shumë, janë duke e kryer një punë shumë të madhe, jam thellë i bindur që do ta arrijmë një konsensus, do të pajtohemi që kjo kategori, në qoftë se i plotësojnë kriteret t’i regjistrojmë”, është shprehur Dema.

Universiteti i Prishtinës tash e disa vjet me radhë i ka regjistruar fëmijët, pjesëtarë të kategorive të dala nga lufta në mënyrë të veçantë në bazë të një memorandumi të nënshkruar në mes të shoqatave të këtyre kategorive dhe UP-së.

Vitin e kaluar ky regjistrim ishte ndërprerë duke bërë që asnjë fëmijë-familjarë i dëshmorit apo kategorive tjera të dala nga lufta të mos pranohet.

Këtë vit, rektori Dema ka premtuar se do t’i përkrahë këto kategori duke i respektuar marrëveshjet dhe kriteret që duhet t’i plotësojnë./kp

Temat
LajmeVend

Të afërta