Prishtina vazhdon të mos ketë qendër informuese për turistët

Prishtina vazhdon të mbetet pa qendër funksionale për informimin e turistëve.

Afërsia me aeroportin, operimi i pothuajse të gjitha institucioneve shtetërore e joshtetërore, universitetet, e shumë arsye të tjera, e bëjnë kryeqytetin të dëshirueshëm për vizitorë nga vendi, rajoni e bota, raporton “038” i KTV-së.

Por, këto nuk janë të vetmet arsye që Prishtina mund të jetë cak turistik i tyre.

Kryeqytetit, gjithashtu nuk i mungojnë vendet që paraqesin atraksion turistik.

Ajo që e bën të veçantë qytetin, ndër të tjerash, është një përzierje arkitektonike e objekteve.

Objektet e ndryshme, si për nga vjetërsia, ashtu edhe për nga llojllojshmëria e kulteve religjioze, janë mundësi ideale për turistë, që përveç atraksionit, shërbejnë edhe për tregime rreth frymës së tolerancës, sidomos, ndërfetare që ka mbretëruar dhe vazhdon të jetë në Prishtinë.

Por, ata që vijnë për vizitë nuk do ta kenë aspak të lehtë t’i gjejnë këto vende, objekte e monumente.

Kryeqyteti nuk e ka një qendër informuese për turistët që duan t’i vizitojnë këto hapësira.

Studenti amerikan, Daniel Moncada, i cili këtë verë do ta kalojë në një familje të Prishtinës, pasi është pjesë e një programi për shkëmbimin e studentëve thotë se mungesa e një qendre të tillë u krijon probleme turistëve.

“Fatmirësisht për mua, programi në të cilin jam unë më mundëson që familja ku qëndroj të më ndihmojë rreth asaj se si është të jetosh në Kosovë, se si është të jetosh në Prishtinë. Por, nëse nuk do ta kisha këtë nuk do të kisha mundur të gjendem vetë. Në fakt edhe pse më ndihmojnë ata kanë jetët e tyre dhe nuk mund të jenë gjithmonë me mua, kështu që duhet ta eksplorojë qytetin vetë. Unë jam nga Neë York City, dhe jetesa në Neë York është shumë e strukturuar, janë blloqet, shenjat e rrugëve, emrat e rrugëve. Kurse këtu është pak më vështirë të jesh turist, nuk ka rrugë të strukturuara në hartë. Kur dikush më thotë të shkoj diku, më duhet të orientohem në bazë të disa vendeve si pika referimi. Është lehtë sepse Prishtina është e vogël, por në përgjithësi nuk është sistem efikas, dhe mendoj se sistemi turistik do të ndihmonte shumë”, thotë Daniel Moncada.

Daniel pohon se pos kryeqytetit, guida e harta të turistëve nuk ka parë as në momentin e mbërritjes në Aeroportin e Prishtinës.

Ai është i mahnitur më mikpritjen që ka gjetur në kryeqytetin e Kosovës, por thotë se një qasje më e mirë institucionale ndaj turistëve do t’u ndihmonte në rritjen e numrit të turistëve.

“Nëse zyra e turistëve nuk punon, si do të gjendesh vetë. Fatmirësisht shumica e njerëzve, sikur edhe unë gjinden disi, por nuk është e lehtë dhe pasja e një sistemi të tillë do t’u ndihmonte shumë njerëzve të cilët nuk e njohin vendin mirë për t’u koordinuar në qytetin e ri. Mendoj se është punë e qyteteve, si mikpritëse e turistëve që t’u ndihmojë atyre të dinë të paktën ku të shkojnë, të paktën gjërat bazike, këmbimin e të hollave, bankat, hotelet, e di se ka hotele të mëdha, por gjërat bazike që i duhet turistit. Dhe nëse zyra e turistëve nuk punon, çfarë do të bëjnë turistët! Ju mund t’ua lini këtë turistëve para se të vijnë këtu, por përkundër kësaj ju duhet bërë më shumë për vendin që të vijnë më njerëz këtu”, ka thënë Moncada.

Idenë e funksionalizimit të zyrës për turistë e përkrah edhe Steven Hudson, profesor në Shkollën Amerikane të Kosovës.

“Mendoj se zyra për turistë do të ishte ide e mrekullueshme për turistët që vijnë, ndoshta ajo do të duhet të ishte në disa gjuhë, anglisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht, italisht. Por ju keni vend të mrekullueshëm dhe më shumë njerëz duhet të dinë për të. Ju keni javën e muzikës Jazz,edhe pse nuk e di se si dukej më parë. Por keni edhe muze të bukur dhe vepra të bukura arti. Do të ishte mirë që të kishte më shumë informata për të mundur më lehtë të zgjedhësh. E përpos këtyre gjërave kulturore do të ishte mirë të përmblidheshin edhe restorantet. Do të doja të dija më shumë ku mund të gjej ushqim tradicional sepse shumica janë ushqime tipike evropiane”, ka thënë Steven Hudson.

E përderisa qendra e informimit të turistëve të vazhdojë të mos funksionojë, turistët janë të detyruar të gjejnë zgjidhje të tjera.

“E përdor telefonin tim dhe kur jam i lidhur me ËIFI i gjej gjërat, por sot nuk munda të gjej atë që isha duke kërkuar, kështu që do të na ndihmonte po të kishte qendër për turistë”, thotë një turist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Ndërkohë, edhe banorët vendas kërkojnë më shumë kujdes në këtë aspekt.

Ndërkohë, zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ka thënë se kiosku në sheshin Zahir Pajaziti, është vendosur nga qeverisja e kaluar dhe nuk ka qenë kurrë funksional.

Ajo ka njoftuar se komuna është duke bërë punuar në projektin për trajtimin e sheshit, ku pritet të bëhet edhe largimi i këtij kiosku. Megjithëse nuk ka dhënë ndonjë afat të caktuar kohor, Mullafazliu ka njoftuar se në shesh do të ketë një qendër informimi për turistë, por kjo do të bëhet pas analizave që janë duke i bërë për vendin ku do të vendoset ajo.

Temat
LajmeVend

Të afërta