PD: Rama të hetohet si kryeministri Ponta

Është zbardhur pjesa e dytë e kallëzimit të Partisë Demokratike ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, në lidhje me financimin e 80 mijë dollarëve për fushatën e presidentit amerikan Barack Obama.

Në dokument thuhet se kreu i qeverisë ka konsumuar të paktën 3 vepra penale.

Opozita thotë se kryeministri në një vend demokratik, duhet të jetë asgjë më pak se promotori dhe garanti i parë i Kushtetutës dhe i ligjeve të vendit dhe jo shkelësi i parë i tyre. Por a mund ta marrë prokuroria nën hetim kryeministrin? Opozita thotë se ky nuk është rasti i parë që ka ndodhur. Për këtë, sjell shembullin e kryeministrit të Rumanisë, Victor Ponta.

“BBC News, më 13 korrik 2015 dhe 17 shtator 2015, do të raportonte se për dyshime të ngjashme, që kishin të bënin me mashtrim dhe pastrim parash në vlerën 55 mijë euro, u procedua edhe kryeministri i Rumanisë Victor Ponta”, thuhet më tej.

Sipas opozitës, pagimi i shumës prej 80 mijë dollarë, me qëllim sigurimin e pjesëmarrjes në një aktivitet të ndaluar për shtetasin Edi Rama, përbën ekzaktësisht ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe tentativë për mashtrim ndaj funksionarëve publik të huaj.

“Me parat e paguara nga Edi Rama, dhe në bashkëpunim me të, shtetasi Bilal Shehu, ka arritur të sigurojë dy ftesa hyrjeje në eventin për mbledhjen e fondeve. Mirëpo, duke qenë se ftesa nuk mund të jepej në emrin e Edi Ramës, ka patur të shënuar emrin e bashkëshortes së Bilal Shehut. Kjo ka qenë arsyeje se përse shtetasi Edi Rama nuk është lejuar të futej në këtë event, duke i pamundësuar kësaj realizimin deri në fund të veprimtarisë së tij kriminale”, thuhet më tej.

Temat
LajmeRajon

Të afërta