Kryeprokurori e konsideron Enver Hasanin si “forcë e errët kundër shtetit ligjor”

Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi ka reaguar pas disa akuzave kundër tij nga ish-kryetari i Gjyaktës Kushtetuese Enver Hasani.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit konsideron se ky komunikim i të akuzuarit me kryeprokurorin e Shtetit, kryetarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit dhe gjyqtarin e Gjykatës Supreme të Kosovës është i paprecedent dhe i papranueshëm.

Sipas këtij reagimi, Hasani tregon qartë se ka humbur durimin për t’u përballur me akuzat në gjykatë dhe po tenton të denigrojë punën sistemit prokurorial me shkrimin e tij, duke përmendur në të njëjtin shkrim 26 herë emrin e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, shkrim i cili përmban insinuatë të rënda dhe dyshime abstrakte që duket kanë për qëllim frikësimin dhe kërcënimin e bartësve të funksioneve prokuroriale dhe gjyqësore.

“Shpifjet e fundit të përsëritura disa herë dëshmojnë se forcat e errëta dhe kundërshtarët e shtetit ligjor nuk janë dorëzuar, kjo tregon për vendosmërinë e tyre që të vazhdojnë me sulme dinake dhe me shpifje për të penguar forcën e ligjit në luftën kundër tyre dhe krimit të organizuar në përgjithësi”, thuhet në një komunikatë të gjatë për media.

Sa i përket akuzave të Hasanit se akuzat e tij janë përgatitur nga tashmë kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, në komunikatë thuhet se Lumezi nuk është marrë me asnjërin rast ku është i dyshuar Enver Hasani.

“Hetimet kundër tij kanë filluar të zhvillohen në kohën derisa ai ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në atë kohë kryeprokurori Lumezi ishte duke kryer detyrën e kryeprokurorit të Apelit e që nuk kishte kompetencë ligjore për ndjekje penale. Duke kryer funksionin kushtetues dhe ligjor çdo ditë ballafaqohemi me njerëz dhe personalitete të ndryshme kundër të cilëve zhvillohen hetime dhe ngritën aktakuza.

Të gjithë ata sillen në mënyrë të zakonshme duke u ballafaquar me drejtësinë. Nëse në gjykimin e tij i akuzuari nuk mund të jetë një individ i sinqertë, do të ishte mirë të jetë i ndershëm në prononcimet e tij dhe të mos lejojë që me paramendim të bëhet i pandershëm. Kjo çfarë është duke bërë i akuzuari me shkrimet e tij është të tallesh me vetveten, si duket ka ra në kurth duke besuar dhe duke u përshtatur kërkesave të atyre që dëshirojnë ta shohin të dështuar sundimin e ligjit në vendin tonë”, thuhet në një komunikatë nga Prokuroria e Shtetit.

Tutje në komunikatë theksohet se arsyeja tjetër të Hasanit për denigrim nga bartësit e institucioneve të drejtësisë nuk ka, përpos tentativave për t’iu shmangur përgjegjësisë penale edhe për të krijuar zhurmë si një garanci më shumë për të akuzuarin e vërtetë.

Temat
LajmeVend

Të afërta