Bahtiri: Nuk përjashtohet protesta me VV-në dhe AAK-në nëse nuk arrihet marrëveshje me Brukselin për urën e Ibrit

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se e ka pasur obligim që t’iu bënte thirrje qytetarëve që të mos i bashkoheshin një proteste, që sipas tij, nuk dihej kush e kishte thirrur.

Ai ka thënë se tash për tash janë në negociata me Brukselin dhe nuk kanë dëshirë të dalin në protesta.

“Unë kam thënë edhe më herët se i kemi 100 arsye të thërrasim protesta, por me që jemi në bisedime në tavolinë, unë kam dëshirë që problemet t’i zgjedhim në tavolinë. Unë si kryetar i garantoj qytetarët se do t’i mbështes iniciativat e mira dhe qytetarët e kanë besimin te unë sepse nuk do të lëshoj pe. Thirrja e kësaj proteste është bërë nga njerëzit që nuk i kemi njohur dhe derisa nuk i njohim, atëherë unë si kryetar duhet të apelojë tek qytetarët që të mos i bashkohen protestës. Në të kaluarën protestat kanë treguar se kanë shkaktuar vetëm probleme dhe pasiguri”, ka thënë Bahtiri për Indeksonline.

Ai ka thënë se deri më tani e ka përkrahjen e të gjitha partive politike që t’i vazhdon negociatat, por sipas tij, procesi ka pak ngadalësim.

“Unë kam përkrahje me të gjitha partitë politike që bisedimet të vazhdojnë, derisa jemi në bisedime, ne po i presim edhe vendimin përfundimtar të Brukselit që të fillon puna në urën e Ibrit për rivitalizim. BE-ja tash është duke bërë presion të serbët më Beograd që marrëveshja të realizohet ashtu si është planifikuar. Unë po mendoj se procesi është duke shkuar mirë, megjithëse ka pak ngadalësim”.

Bahtiri duke folur për Indeksonline, nuk e ka përjashtuar mundësin që të organizojnë protesta me të partitë politike për lirimin e urës, por vetëm atëherë kur procesi i negociatave dështon.

“Unë e falënderoj çdo parti politike edhe VV-së e cila ka gjet mirëkuptim dhe më ka përkrahur dhe nuk përjashtohet mundësia, se në qoftëse nuk arrijmë rezultat me marrëveshjen e Brukselit, atëherë sigurisht që do të protestohet në mënyrë të qetë për t’i shti në funksion ndërkombëtarët. Me të gjitha partitë politike jemi në kontakt dhe e kam përkrahjen”, ka thënë Bahtiri.

Temat
LajmeVend

Të afërta