VV ia kthen Mustafës: Ti Kosovën e sheh me syzet e Malit të Zi

Kryeministri i Kosovës, Isa Musafa ka përsëritur se Kosova duhet që ta bëj shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, kusht ky sipas tij, i vendosur nga Bashkimi Evropian që qytetarët të lëvizin pa viza.

Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se nëse nuk bëhet demarkacioni Kosova do të humb shansin për të lëvizur pa viza.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi ka thënë për Telegrafin se Isa Mustafës nuk i bën përshtypje aspak nëse vendi ynë humbë territor ngase mendjen e ka tek pasuria e djemve të tij e jo tek interesi i Republikës sonë.

“Për Isa Mustafën Kosova nuk humbë tokë nga demarkacioni, ngase ai e sheh Kosovën me syzet e Malit të Zi. Edhe më herët gjatë karrierës së tij politike ai e ka parë Kosovën si pjesë e Jugosllavisë dhe lëvizjet për çlirimin e vendit i janë dukur gabim dhe të papranueshme. Atij nuk i bën përshtypje aspak nëse vendi ynë humbë territor ngase mendjen e ka tek pasuria e djemve të tij e jo tek interesi i Republikës sonë. Humbjen e territorit përmes demarkacionit tashmë e kanë dëshmuar shumica absolute e ekspertëve më të mirë vendorë (duke përfshirë edhe deputetë të LDK-së) dhe vetëm një kryeministër i shitur dhe i papërgjegjshëm mund të injorojë faktet bindëse që janë dhënë deri tash”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se është e çuditshme se si për Isa Mustafën qenka prioritet miratimi i demarkacionit ndërsa asnjë veprim nuk e ndërmori në luftimin e krimit dhe korrupsionit që gjithashtu është kërkesë e BE-së për liberalizimin e vizave.

“Normalisht që luftimi i krimit dhe korrupsionit nënkupton pamundësimin e pasurimit të tij, djemve të tij dhe pushtetarëve të tjerë, prandaj nuk i konvenon një gjë e tillë. Kurse demarkacioni nënkupton humbjen e territorit të Republikës së Kosovës, e një gjë e tillë nuk është problem për një politikan si Isa Mustafa. Megjithatë, sondazhet e fundit kanë dëshmuar që shumica dërmuese e qytetarëve nuk janë të gatshëm të japin territor për liberalizim të vizave. Ky vullnet duhet të respektohet dhe ne do të bëjmë çmos që ta mbrojmë këtë vullnet gjithëpopullor”, u shpreh Krasniqi./Telegrafi/

Demarkacioni me Malin e ZiFrashër Krasniqi

Temat
LajmeVend

Të afërta