Lobimi i presidentit, pa rezultate

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po paralajmëron njohje të reja për Kosovën, ndonëse kishte dështuar të sillte sa ishte ministër i Punëve të Jashtme. Për analistët dhe opozitën lobimi i Thaçit nuk do të sjellë rezultate, pasi këtë ai e bën vetëm për imazhin e tij

Hashim Thaçi për një vit e gjysmë sa mbajti postin e ministrit të Punëve të Jashtme dështoi të sjellë njohje për vendin e madje u tregua i ngathët edhe në anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare.

Tani Thaçi në postin e presidentit po lobon për të sjellë njohje të reja, gjë të cilën nuk e kishte bërë sa ishte kryediplomat, shkruan “Zëri”.

Këtë lobim analistët dhe deputetët opozitarë po e shohin më shumë si “ekskursion subjektiv” sesa përpjekje për të sjellë njohje.

Në kohën sa Hashim Thaçi ishte ministër i Punëve të Jashtme në kabinetin e Isa Mustafës erdhi vetëm një njohje nga një shtet i pranuar në OKB, Antigua dhe Barbuda, më 20 maj 2015 dhe një shtet tjetër joanëtar i OKB-së, Niue.

Madje ky ishte viti kur Kosova pati më së paku njohje nga viti 2008, kur edhe shpalli pavarësinë. Përveç kësaj, në kohën sa Thaçi ishte kryediplomat Kosova dështoi të anëtarësohej edhe në UNESCO, për të cilën ish-ministri Thaçi, tash president, ishte i bindur për një rezultat pozitiv. /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta