“Të nderuar kolegë deputetë, ju lutem që t’i rezistoni çfarëdo presioni që mundet t’ju vjen për ratifikimin e demarkacionit”. Kjo është thirrja që Grupi Parlamentar i AAK-së ua drejton deputetëve të subjekteve të tjera parlamentare.
Kjo është thirrja e plotë e Grupit Parlamentar të AAK’së:
Të nderuar kolegë deputetë, ju lutem që t’i rezistoni çfarëdo presioni që mundet t’ju vjen për ratifikimin e demarkacionit
Populli i Kosovës ju ka dhënë besimin për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Republikës, andaj me të drejtë ju jeni zëri i tyre, prandaj mos e sakatoni Kosovën për të ruajtur një Komision Qeveritar që po e tkurr territorin e vendit. Nuk ruhen raportet me askënd duke e dëmtuar veten.
Kosova ka dhe do të ketë raporte të mira me fqinjët e saj, por në asnjë variant kjo nuk do të thotë që duhet të jepet territor për fqinjësi të mirë.
Ne nuk po pretendojmë në territoret e humbura para 103 vjetësh, por të ruajmë këtë territor që e kemi.
Grupi Parlamentar i AAK-së, ju bënë thirrje që të kundërshtohet në çfarëdo forme ratifikimi i kësaj marrëveshje që e dëmton Kosovën me mbi 8.8 mijë hektarë tokë.