Vajza e mitur dhe shurdh – memece, babai e nxjerr të lypë, dënohet me 20 muaj burg

Foto ilustruese

Gjykata e Tiranës ka dhënë “verdiktin” e saj për një histori mjaft prekëse pasi një baba detyronte të nxirrte në rrugë për të lypur vajzën e mitur shurdh-memece.

Si pasojë e këtij veprimi gjykata dënoi me 20 muaj burg të atit e vajzës, Urim Totës, për akuzën e keqtrajtimit të të miturit.

Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes rezultoi se Urim Tota ka nxjerrë në rrugë për të lypur vajzën e tij 11 vjeçe, e cila nuk mund as të fliste dhe as të dëgjonte.

Në dëshminë e tij, Tota është shprehur se ishte detyruar ta nxirrte vajzën në rrugë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe pamundësisë për të siguruar bukën për familjen e tij.

Por ndërsa e mitura qëndronte për orë të tëra në rrugë në pritje të ndonjë lëmoshe nga kalimtarët, i pandehuri Tota nuk bënte vetë asnjë përpjekje për të siguruar punë, por thjesht priste muzgun për ta dërguar vajzën në shtëpi dhe për t’i numëruar lekët që kishte mbledhur.

Në këto kushte, gjykata e shpalli fajtor Urim Totën për akuzën e keqtrajtimit të të miturit, duke e dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar për Totën reduktohet në 1 vit e 8 muaj burgim.

Temat
LajmeRajon

Të afërta