Nxënësit denoncojnë ‘testin joreal’ të maturës

Me një kalueshmëri prej 74 përqind në nivel vendi Ministria e Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë e ka vlerësuar si shumë të suksesshëm këtë afat të Maturës Shtetërore.

Nxënës të shkollave të mesme në të gjithë Kosovën ka marrë sot rezultatet e testit të maturës.

Me një kalueshmëri prej 74 përqind në nivel vendi Ministria e Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë e ka vlerësuar si shumë të suksesshëm këtë afat të Maturës Shtetërore.

Mirëpo mendime të ndara për këto rezultate patën nxënësit nga disa prej shkollave të mesme në Prishtinë.

Maturanti Korab Ajvazi, nga Shkolla e Mesme e Mjekësisë, “Ali Sokoli”, u shpreh pjesërisht i kënaqur me rezultatet e testit përderisa shpreson të pranohet në Fakultetin e Stomatologjisë.

Ndërkaq, Egzona Gjigoli nga kjo shkollë, megjithëse e kënaqur me rezultatin e saj vlerësoi se testi i maturës është një ngarkesë e madhe dhe nuk paraqet vlerësim real.

“Testi është veç një ngarkesë për nxënësit sepse një nxënës që është më i dobët mund të kopjojë prej një nxënësi më të mirë dhe nxënësit e mirë mund të dështojnë”, tha Gjigoli.

Në përgjithësi nxënësit e shkollave profesionale shprehën dëshirën për tu regjistruar në drejtimet përkatëse për të cilat edhe kanë mësuar në shkollën e mesme.

Por gjimnazistja nga “Sami Frashëri”, Diellza Arifi tha se do të provojë të regjistrohet në drejtimin Teknologji Ushqimore megjithëse ka munguar orientimi në karrierë nga profesorët.

“Nuk kemi pasur edhe shumë sugjerime, unë personalisht sugjerimet i kam pasur më shumë nga prindërit, prej njerëzve më të rritur e jo profesorët. Nuk është që kemi diskutuar shumë rreth temës së fakultetit”, tha Arifi.

Albulena nga “Sami Frashëri” e cila nuk është e kënaqur me rezultatet e testit mendon se testi i maturës po e nënvleftëson punën disa vjeçare të nxënësve.

“Shumë nxënës të mirë dështojnë, notat mund t’i kenë të gjitha 5 por në test dështojnë pastaj kjo ndikon që të bien edhe notat. Çfarë kemi mësuar për tre vjet, për shkak të testit po bien poshtë edhe notat”, tha Albulena./ Kallxo.com

Temat
LajmeVend

Të afërta