Niveli i trafikimit me njerëz në Kosovë, shqetësues

“Rekomandimet konsistojnë në rend të parë dhe mbi të gjitha në forcimin e hetimeve në rastet e trafikimit me qeniet njerëzore, ndjekja dhe dënim i i trafikantëve , duke përfshirë këtu edhe zyrtarë në këtë dukuri makabre”, ka thënë Hyseni.

Niveli i luftimit të trafikimit me qenie njerëzore edhe këtë vit ka dalë me rezultate jo të kënaqshme në Kosovë. Departamenti amerikan ka dhënë shqetësime serioze për Kosovën sa i përket trafikimit me qenie njerëzore.

Ndër shqetësimet e ngritura janë numri i vogël i kallëzimeve penale gjatë vitit të kaluar dhe numri akoma më i vogël i dënimeve.

Ministri i Brendshëm Skënder Hyseni gjatë prezantimit të raportit të Departamentit Amerikan për trafikimin me qenie njerëzore tha se rekomandimet nga ky departament konsistojnë në forcimin e hetimeve si dhe ndjekja penale e zyrtarëve të përfshirë në këtë dukuri.

“Rekomandimet konsistojnë në rend të parë dhe mbi të gjitha në forcimin e hetimeve në rastet e trafikimit me qeniet njerëzore, ndjekja dhe dënim i i trafikantëve , duke përfshirë këtu edhe zyrtarë në këtë dukuri makabre”, ka thënë Hyseni.

Ai ka përmendur rastin e dy zyrtarëve ndaj të cilëve ka pasur procedurë hetimore, por se nuk dihet përfundimi final i çështjes.

“Si do që të jetë, e kemi për obligim që edhe me veprime thjeshtë etike të bëjmë me dije se në institucione nuk kanë vend njerëz që në çfarëdo mënyre janë përfolur si të përfshirë në këtë dukuri makabre”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se nga rekomandimet është paraqitur edhe nevoja, për trajnime të avancuara për gjyqtarë. prokurorë dhe zbatues të tjerë të ligjit.

“Nevojë po ashtu ka edhe për trajnime të mëtejme për zyrtarë që do të bëjnë identifikimin uniformë të viktimave midis prostitutave, emigranteve dhe popullatës së rrezikuar”, theksoi Hyseni.

Ai ka shtuar se duhet të rriten përpjekjet për t’i identifikuar fëmijët që detyrohet të bëhen lypsarë rrugësh, por mbi të gjitha për t’i identifikuar ata që i detyrojnë fëmijët të kthehen në lypsarë.

Rreth 20 milionë njerëz në mbarë botën janë trafikuar në faza të ndryshme kohore./KosovaPress/

Temat
LajmeVend

Të afërta