Shqiptari shkoi në Britani si grek, por “hëngri” burgun se s’dinte greqisht

Shqiptari Gazmir Idrizi, 44 vjeç, kishte shkuar me avion në Britani tri vite më parë me një kartë identiteti greke. Ai mbante gjithashtu edhe një patentë greke, por një zënkë me shokun e dhomës bëri që ai të përfundonte në polici.

Aty ku më pas do të zbulohej edhe e vërteta e dokumenteve të tij.

Gjykata e Magjistraturës në Kembrixh e dënoi atë me tre muaj burg për dokumente të falsifikuara.

Policia vizitoi shtëpinë e tij të hënën pas një zënke që Idrizi kishte pasur me shokun me të cilin ndante shtëpinë për çështjen e ish-të dashurës.

“Kur i pandehuri është arrestuar për këtë çështje, policia gjeti në posedim të tij një kartë identiteti greke dhe një patentë shoferi greke me një emër tjetër, si dhe një kartë bankare. Ai gjithashtu kishte dokumente që deklarojnë se kishte fluturuar me avion disa vite më parë në Mbretërinë e Bashkuar duke përdorur një emër të ndryshëm”, tha prokurori i çështjes.

“Gjërat u ndërlikuan për të pandehurin, kur ai shkoi në stacionin policor për intervistë, ai ishte i pajisur me një përkthyes grek, por policia zbuloi se ai nuk mund të fliste greqisht. Kjo u bë e qartë se Idrizi ishte një shtetas shqiptar. Ai pastaj i dha policisë emrin e tij të vërtetë”, sqaroi Prokurori gjithashtu.

Idrizi i tha policisë se dokumentet false i bleu për 5 000 euro në Athinë në mënyrë që të punonte në Mbretërinë e Bashkuar dhe të mund të hapte llogari bankare.

Gjatë intervistës, tha se ishte nga Shqipëria dhe kishte tre fëmijë dhe kishte nevojë për të siguruar para. Shqiptari punonte në ndërtim.

44 vjeçari nuk kishte dënime të mëhershme, ndërsa u arrestua pasi rrezikonte të largohej nga Britania e Madhe.

Avokati mbrojtës deklaroi se Idrizi ka jetuar me ndershmëri duke punuar gjithë javën, ndërsa paratë ia ka dërguar familjes së tij në Shqipëri.

Ai do të deportohet në Shqipëri, pas lirimit nga burgu.

Temat
LajmeRajon

Të afërta