Tiranë, bashkëshortja e paditi në gjykatë, burri i vë flakën vetes në rrugë

Një 59­-vjeçar ka tentuar të vetëvritet në mes të Tiranës, duke i vënë flakën vetes, pasi ishte lyer me benzinë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 pas mesnate, duke gdhirë e hëna, në bregun e lumit Lana, pranë Piramidës.

Burime nga Policia thanë se disa kalimtarë të rastit, që kanë parë ngjarjen, i kanë telefonuar menjëherë Policisë dhe ndërhyrja në kohë bëri që ai të shpëtojë. Megjithatë, mësohet se ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin Toksikologjik, në QSUT.

Sipas Policisë, mësohet se i plagosuri është shtetasi Ded Leka, nga Lezha, baba i dy vajzave.

Ndërsa mësohet se tentativën e vetëvrasjes ai e ka kryer në kushtet e depresionit, pas konflikteve të vazhdueshme që kishte pasur me të shoqen. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, fillimisht duke pyetur dëshmitarët e më pas edhe familjarët e 59­ vjeçarit.

Sipas kalimtarëve që kanë parë veprimin e tij, Leka ka qenë i ulur në një prej stolave përgjatë bregut të Lanës, pikërisht pranë një qendre tregtare që ndodhet afër Piramidës, shkruan Panorama.

Temat
LajmeRajon

Të afërta