Ish-guvernatori i shkarkuar pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në thesarin e BSH-së, ka kundërshtuar në Apelin Administrativ vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës ndaj tij.
Bëhet fjalë për vendimin e datës 2 qershor 2016, për padinë e Fullanit kundër Bankës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës.
Nga kërkimet e Fullanit për pavlefshmëri të vendimit të shkarkimit të tij, rikthimin në detyrë dhe dëmshpërblim financiar e moral në shumën 50 milionë lekë në total, Shkalla e Parë pranoi pjesërisht padinë, duke dëmshpërblyer Fullanin me 12 paga mujore, vetëm për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga BSH.
Përmes një ankimi prej 47 faqesh në total, i depozituar në Apel, ish-guvernatori pretendon se vendimi i Shkallës së Parë është marrë pjesërisht në zbatim të gabuar të ligjit dhe si i tillë, duhet të ndryshohet, duke i pranuar plotësisht padinë. Përveç deklarimit të pavlefshëm të vendimit për shkarkimin e tij dhe dëmshpërblimin, Fullani kërkon rikthim në detyrën e Guvernatorit dhe anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së.
