Mustafa sprapset nga politizimi i ndihmës multimilionëshe amerikane

Kryeministri Isa Mustafa ka paralajmëruar të premten se Petrit Selimin do ta lërë pa njërin prej dy funksioneve që i mban aktualisht – atë të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, dhe funksionin e koordinatorit nacional në Zyrën e Sfidave të Mijëvjeçarit.

Vendimi për këtë është paralajmëruar të merret në mbledhjen e radhës të Qeverisë, shkruan sot Koha Ditore.

Një ditë më parë është konfirmuar si i jashtëligjshëm vendimi i Mustafës për t’ia lënë në dorë Selimit menaxhimin e një ndihme qindramilionëshe amerikane.

Ishte bërë kjo, duke e emëruar zëvendësministrin në pozitën e koordinatorit nacional në Zyrën për Sfidat e Mijëvjeçarit, e cila është përgjegjëse për grantet pesëvjeçare të agjencisë qeveritare amerikane, Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Agjencia Kundër Korrupsion ka gjetur se ushtrimi i njëkohshëm i të dyja funksioneve, përbën konflikt interesi.

Gazeta ka raportuar disa herë përkitazi me politizimin e menaxhimit të këtyre granteve, ngaqë për menaxher kryesor ishte caktuar Selimi, i cili i takon PDK-së, parti kjo kryesore në pushtet.

Kryeministri e kishte emëruar edhe Alban Zogajn për ekonomist kryesor në të njëjtën Zyrë.

Temat
LajmeVend

Të afërta