Qeveria nuk ka plan se si do t’i paguajë veteranët

Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë plan konkret se si do t’i paguajë të gjithë veteranët e luftës, çështje kjo e cila bëri jehonë të madhe për shkak të numrit që rezultoi tejet i paparashikueshëm për ta.

46 mijë e 230 është edhe zyrtarisht numri i atyre që do të përfitojnë nga statusi i veteranit, por që nuk dihet se kur do t’i gëzojnë të gjithë këto të drejta, raporton lajmi.net.

Nga ana tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar, vazhdimisht i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të kenë kujdes duke mos e rrezikuar buxhetin e Kosovës.

Ky institucion pati thënë se në buxhet janë paraparë 60 milionë euro për këtë kategori, derisa shpenzimet mund të shkojnë deri në 100 milionë. Sipas tyre, numri i madh i veteranëve të UÇK-së ka tejkaluar edhe paratë e planifikuara në buxhet për afro 40 milionë euro.

Në mbledhjen e 1 qershorit të Qeverisë së Kosovës, u shqyrtua Raporti i komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit dhe veteranit të UÇK së.

Pavarësisht numrit tejet të madh, kryeministri Mustafa tha se ky raport pranohet si i tillë, edhe pse ky numër siç sqaroi ai është përtej parashikimeve të tyre, por u shpreh se çështjet tjera pritet të rregullohen në të ardhmen.

Që atëherë nuk ka pasur ndonjë lëvizje se cilat janë planet e Qeverisë dhe se si do t’i sigurojë ajo paratë për pensionet e veteranëve.

Lidhur me këtë këshilltari politik i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu në një përgjigje për lajmi.net pranon se duhet vazhduar bisedimet për të gjetur një zgjidhje, që siç thotë ai të përmbushen obligimet ndaj atyre që i meritojnë këto përfitime.

Abdullahu pohon se çështja e veteranëve nuk është diçka që zgjidhet lehtë.

“Çështja e pagesës së veteranëve gjithsesi se ka krijuar problem jo lehtë të zgjidhshëm. Kështu mund të konstatojmë duke pasur parasysh numrin aktual të veteranëve i cili ka tejkaluar disa herë pritshmëritë tona”, bën të ditur ai.

Madje ai vlerëson se raporti me FMN duhet të mbahet solid dhe funksional, meqë këta të fundit vazhdimisht e kanë ngritur zërin kur është bërë fjalë për veteranët duke qenë kategorik që buxheti i Kosovës të mos vihet në rrezik.

“Përkundër kësaj ne duhet të vazhdojmë bisedimet edhe me të tjerët të involvuar në këtë çështje me qëllim që të gjejmë zgjidhje sa më adekuate e cila do të na mundësoj që në raport me situatën e krijuar t’i përmbushim obligimet optimalisht ndaj atyre që e meritojnë këtë përkujdesje por edhe ta mbajmë solid dhe funksional raportin e mirë që kemi me FMN-n”, sqaron Abdullahu.

Për çështjen e këtyre vonesave disa herë ka pasur protesta nga organizatat e dala nga lufta të cilët nuk e kanë mohuar se ato do të vazhdojnë edhe në të ardhmen nëse kjo punë vazhdon të zvarritet.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve Xhevdet Qeriqi ndonëse nuk pajtohet me numrin e veteranëve në lista, shprehet i bindur se listat e dalura nga komisioni qeveritar janë të fryra. Andaj ai thotë se Qeveria tash e ka obligim ligjor që t’i kryejë të gjitha pagesat ndaj krejt atyre që zyrtarisht figurojnë në listën e veteranëve.

“Ata është dashtë me i planifiku senet ma herët edhe me punu me një strategji dhe jo kështu si kanë punu me komision dhe ka dalë ky numër. Listat e dala për veteranët janë të fryra është diskutuar me anëtarë të shtabit të përgjithshëm dhe ata për këtë arsye ky raport ka zgjatur që tre vjet e gjysmë ne nuk pajtohemi. Këto lista kanë dal nga komsioni qeveritar andaj qeveria është e obliguar edhe ti kryej pagesat”, shpjegoi Qeriqi për lajmi.net.

Ndërsa dje gjatë ditës, zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka njoftuar se në bazë të autorizimeve ligjore, ka kërkuar nga prokuroria kompetente, fillimin e grumbullimit të informatave të nevojshme për të përcaktuar nëse ka vend për inicimin formal të hetimeve, në lidhje me rastet individuale të keqpërdorimeve eventuale që kanë mundur të ndodhin gjatë hartimit të listave të veteranëve të UÇK-së.

Temat
LajmeVend

Të afërta