Mustafa: Shenjtërimi i Nënës Terezë moment krenarie për qytetarët e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se shenjtërimi i Nënë Terezës është moment krenarie për qytetarët e Kosovës. Mustafa në takim Ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, vlerësoi rolin dhe kontributin e Ipeshkvisë në progresin që po arrihet në Kosovë.

Kryeministri foli edhe për rëndësinë që ka për Kosovën ky vit, duke iu referuar faktit se është viti i shenjtërimit të Nënës Terezë, siç tha,simbolit global të humanizmit dhe dashurisë ndërnjerëzore.

“Kosova dhe shqiptarët kanë një arsye më shumë që të ndjehen krenar në këtë vit me shumë suksese. Shenjtërimi i Nënës Terezë është një përjetim i veçantë për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi”, tha kryeministri Mustafa.

Në këtë kontekst, Mustafa, bëri të ditur se Qeveria e Kosovës do të financojë koncertin i cili do të mbahet në Vatikan, më vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, shprehu mirënjohje të posaçme për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa për shpalljen kohë më parë të vitit 2016, Vit të Nënës Terezë, dhe për mbështetjen e koncertit për nder të shenjtërimit të saj.

Ipeshkvi Gjergji, po ashtu, tha se shenjtërimi i Nënës Terezë është një ngjarje e rëndësisë së veçantë për Kosovën dhe tërë shqiptarët.

Temat
LajmeVend

Të afërta