Mustafa: Për pozitën e koordinatorit të MSS-së vendoset së shpejti

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se çështja e zëvendësministrit Petrit Selimi i cili e mban edhe postin e Koordinatorit Nacional në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit është politizuar, por Qeveria në mbledhjen ardhshme do ta marrë vendimin në harmoni me interpretimin e Agjencisë Antikorrupsion.

Kjo e fundit kishte konstatuar se mbajtja e dy pozitave nga Selimi është konflikt interesi.

Mustafa tha se emërimi i Selimit në këto pozita është bërë në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë, mirëpo, shtoi se do të gjendet një zgjidhje.

“Vetëm t’iu informoj se ka filluar të politizohet çështja e koordinatorit të MSS-së dhe të një interpretimi që e ka dhënë Agjenciai Antikorrupsion, ne do të marrim vendim në Qeveri, karshi kësaj, kështu që askush nuk ka pas qëllim që të politizohet sepse ne kemi diskutuar me partnerët ndërkombëtarë edhe me MSS-në, edhe me Ambasadën Amerikane, edhe me USAID-in në gjithë këtë proces dhe gjithë procesi është zhvilluar në pajtim dhe harmoni të plotë mes gjithë atyre palëve, mirëpo ne i respektojmë interpretimet ligjore dhe unë do të konsultohem edhe me zëvendëskryeministrat edhe me partnerët tanë në mënyrë që për mbledhjen e ardhshme ne të marrim vendim në Qeveri si do të gjendet zgjidhja për t’u harmonizuar kjo me interpretimin që e ka dhënë agjencia”, ka thënë ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta