Ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, ka thënë se dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian nuk është një lajm i mirë dhe se rezultati deri diku ishte i papritur.
“Nuk ka qenë lajm aspak i mirë për Bashkimin Europian. Rezultati deri në një masë ishte i papritur, sepse gjatë fushatës rezultatet kana qenë që Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë. Por, mbase e gjithë historia e Britanisë e kanë pasur dozën e skepticizmit brenda”, ka thënë Çollaku në Info Magazine të Klan Kosovës.
Sipas ministrit Mbretëria e Bashkuar megjithatë asnjëherë nuk ishte komplet brenda Unionit Europian.
“Britania ishte me një këmbë në BE. Por sot u largua me të dyja.Politikat e migrimit kanë qenë çështja më dominonte, dhe ngadhënjyen ata që deshën largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja. Konservatorizmi që mbretëron tek mosha e vjetër dhe e mesme dhe mbizotërimi i ndjenjave e nacionalizimit dhe e mbylljes”, tha ai.
Çollaku ka deklaruar edhe se ky largim mund të jetë një dëm i pariparueshëm dhe se vakuumi brenda BE’së do jetë evident.