‘Universiteti i Xhihadit’ në Pakistan

Pasi terroristët në Pakistan vranë më shumë se 100 fëmijë, nxënës të një shkolle, 18 muaj më parë, udhëheqësit e vendit u zotuan se do të ashpërsonin qëndrim karshi kolegjeve fetare që shërbejnë si baza rekrutuese për grupe militante islamike vendase dhe ndërkombëtare.

Zyrtarët amerikanë po ashtu kanë vazhduar t’i bëjnë trysni Pakistanit në përpjekjet e tyre prej një dekade për të bindur qeverinë që të mos lejojë strehë për grupet kryengritëse që po destabilizojnë Afganistanin, veçanërisht talebanët dhe degën e tyre brutale, rrjetin Haqqani, raporton The Washington Post.

Përkundër tërë kësaj, qeveria provinciale e Kiber Paktunkvës në Pakistan ka vendosur t’i japë 3 milionë dollarë amerikanë kolegjit Darul Uloom Haqqania, i njohur gjithashtu si “Universiteti i Xhihadit”.

Në një mbledhje të kuvendit provincial, javën e kaluar, udhëheqësit e Kiber Paktunkvës njoftuan për subvencionin për kolegjin e sipërpërmendur, dhe thanë se ai nevojitej për të mbajtur hapur një prej kolegjeve më kontroverse islamike në botë.

Udhëheqësit qeveritarë theksuan se kolegji aktualisht numëron rreth 4.000 studentë, dhe se prindërit e tyre presin përkujdesje për ta.

“Një numër i madh studentësh studiojnë, jetojnë dhe ushqehen në kolegj, dhe ai është duke i bërë një shërbim të madh njerëzve të varfër”, ka thënë Mushtaq Ghani, ministër i Arsimit i provincës, në një intervistë për The Washington Post.

Duke ndihmuar financiarisht një prej institucioneve më kontroverse islamike në botë, Ghani ka thënë se qeveria po ndihmon ta ngritë atë si pjesë e një reforme të gjerë të asaj çfarë 3 milionë fëmijë pakistanezë mësojnë në më shumë se 100.000 medrese, transmeton Gazeta Express. Por, kritikët kanë dënuar ashpër këtë hap të qeverisë, duke thënë se ai rrezikon të ringjallë dyshimet rreth asaj nëse Pakistani mund të llogaritet ndonjëherë si partner i besueshëm në luftën globale kundër terrorizmit.

“Talebanët po i vrasin fëmijët tanë, dhe qeveria jonë po i jep para simpatizantëve të tyre”, ka thënë Shahi Syed, senator pakistanez.

Temat
BotëLajme

Të afërta