Në familjen Mramori sot pasdite ka pllakosur zija. Dy fëmijët e tyre, vajza 13 e djali 11 vjeç u mbytën në një pus të mbushur me ujë.
Ky pus në pronë private, është krijuar nga kompani që kanë marrë gurë për të shtruar rrugë të ndryshme.
Pas kësaj tragjedie, ka pasur shumë reagime. Një prej tyre është edhe ajo e deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
Ajo ka deklaruar se kjo tragjedi ndodhë vetëm dy javë pas tragjedisë në Prizren.
“Ku ishin inspektorët komunal?!”, pyet deputetja Deliu-Kodra. “Kush duhet të ofrojë përgjegjësi penale dhe morale pas kësaj që ndodhi?!”.
Revoltën e saj ndaj këtyre rasteve të rënda, deputetja e shpreh ndaj papërgjegjësisë kolektive.
“Edhe sa jetë fëmijësh duhet të shuhen akoma për shkak të papërgjegjësisë sonë?!”, shkruan ndër të tjera deputetja, duke i shprehur ngushëllime të sinqerta familjes që pësoi nga ky rast i rëndë./lajmi.net