Pas verdiktit përfundimtar ku kombëtarja shqiptare është kthyer në shtëpi, një nga mediat zvicerane ndryshe nga atmosfera përpara ndeshjes në grupin A, Shqipëri-Zvicër, ka zbutur tonet dhe ka shprehur falenderim shqiptarët.
Është portali zviceran ‘20min.ch’, që falënderon tifozët shqiptarë që ishin në numër të madh në Francë, dhe kanë përkrahur ashtu siç duhet Kombëtaren e tyre, duke dëshmuar kulturë të lartë dhe ishin shembull në këtë Evropian.
Shkrimi tregon edhe për ndeshjet e Evropianit, ku humbën 1:0 nga Zvicra dhe 2:0 nga Franca, derisa erdhi edhe momenti historik, triumfi ndaj Rumanisë, që ishte fitorja e parë e Shqipërisë në një Evropian.
“Kjo është dita më e madhe në futbollin shqiptar dhe më e bukura në jetën time”, thotë Armando Sadiku, i cili realizoi golin e vetëm. Ai dhe shokët e tij u gëzuan shumë dhe kishin shpresa edhe për kualifikim, por shpresat u ndalën me përfundimin e takimit ndërmjet Portugalisë dhe Hungarisë.
Turneu do të vazhdojë pa vendin e vogël ballkanik. Megjithatë, futbollistët shqiptarë dhe tifozët e tyre mund të ndjehen fitues.
Duhet theksuar se shkrimi është shoqëruar edhe me një video, ku tregon për tifozët shqiptarë në Francë, derisa kënga është “Kuqezi je ti”.

