Se vendi ku ranë sot dy fëmijët dhe humbën jetën tragjikisht, në Kolovicë të Prishtinës, ishte i rrezikshëm dhe duhej marrë masa, kishte pasur paralajmërime tash e sa kohë.
Banori i kësaj lagje, Avdyl Yseni ka thënë për lajmi.net se ka denoncuar disa herë në Komunë lidhur me gropën e krijuar në lagjen e tij, ku sot vdiqën një djalë 11-vjeçar dhe motra e tij 13-vjeçare.
Ai thotë se Komuna e Prishtinës ka thënë se kjo nuk është përgjegjësi e tyre dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë masë.
Lajmi.net mëson se në vendin ku kanë rënë sot dy fëmijët, një kompani merrte gurë për të shtruar rrugët. Vend-punimi nuk ka qenë i rrethuar.
Gropa ku kanë rënë sot fëmijët ishte e mbushur me ujë dhe e thellë rreth dy metra.
Ndërkaq, Agim Azemi përfaqësuesi i lagjes Kolovica, thotë se Komuna e Prishtinës është fajtore për këtë tragjedi.
Kompania që ka punuar në këtë lokacion besohet se quhet ABC dhe vjen nga një Komunë tjetër. Kjo kompani ka shtruar edhe rrugën që kalon pranë shtëpive në këtë lagje./ lajmi.net