Rritet numri i trafikimit me qenie njerëzore, 16 viktima vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti

Trafikimi me qenie njerëzore ka shënuar rritje në pesë mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore me vitin e kaluar.

Nga muaji janar deri në maj të vitit 2016 janë identifikuar 16 viktima të trafikimit, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Në periudhën kohore Janar-Maj 2016, sipas statistikave vërehet ngritje e numrit të viktimave të identifikuara, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore te vitit të kaluar, gjithsej viktima të identifikuara sipas proceduarave standarde dhe ligjeve në fuqi për këtë periudhë kohore janë 16 viktima”, ka thënë Hoxha për Indeksonline.

Prostitucioni i cili njihet edhe si “zanati më i vjetër në botë” është një fenomen negativë që jo pak praktikohet tek ne. E kjo më së shumti praktikohet në lokale nate të cilat njihen edhe si “Muzikë Live”.

Në lidhje me këtë, Hoxha, ka thënë për Indeksonline, se Policia e Kosovës ka kontrolluar 19 lokale.

“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në vazhdën e aktiviteteve të saj të parapara në strategjitë nacionale dhe planin e punës, përpos hetimeve që zhvillon për veprat penale të trafikimit me njerëz dhe veprave tjera që ndërlidhen me trafikimin, organizon edhe plane operative të kontrollimeve të lokaleve me karakter parandalues dhe identifikues të viktimave të mundshme të trafikimit, apo të zbulimit të veprave tjera penale duke përfshirë edhe “Marrjen me Prostitucion” si vepër kundërvajtëse. Gjatë periudhës kohore raportuese (Janar-Maj 2016) nga Policia, respektivisht Drejtoria për hetimin e trafikimit ne njerëz, janë kontrolluar gjithsej 19 lokale”, ka thënë ai.

Numri i të arrestuarve për këtë periudhë kohore (Janar-Maj) ka arritur në 77 persona nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të trafikimit me njerëz dhe veprave tjera që ndërlidhen me trafikimin.

Temat
LajmeVend

Të afërta