Komisioni i Reformës, sot prezantohen ndryshimet për Gjykatën Kushtetuese

Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi pritet të mblidhet të mërkurën për të vijuar me shqyrtimin e projektligjit “Për Gjykatën Kushtetuese”, në kuadër të paketës ligjore që parashikon ndërhyrje në 7 ligje, me qëllimin për t’i bërë të zbatueshme ndryshimet në kushtetutë.

Në mbledhjen e së hënës mungonte opozita, e cila kundërshtoi nisjen e këtij procesi, përsa kohë palët janë në negociata dhe nuk kanë gjetur mirëkuptim për pikën e vetme të paketës kushtetuese, atë të formulës së votimit të emërimeve nga ana e parlamentit të disa anëtarëve të institucioneve të drejtësisë.

Sot në komision, drafti për Kushtetuesen pritet të paraqitet nga relatori i çështjes, ndërsa të enjten do të miratohet nen për nen dhe në tërësi, shkruan atsh. Çështja kryesore e këtij projekti lidhet me zgjedhjen e anëtarëve të këtij institucioni, duke parashikuar një formulë të re.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, 3 prej tyre emërohen nga Presidenti i Republikës, 3 anëtarë zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa 3 të tjerë nga Gjykata e Lartë.

Institucioni i ri që krijohet nga reforma në drejtësi është Këshilli i Emërimeve, i cili, për të 9 anëtarët e Kushtetueses, pavarësisht se cili autoritet i zgjedh, bën renditjen e kandidatëve, sipas meritave të tyre, ndërsa Presidenti, parlamenti apo Gjykata e Lartë janë të detyruar të zgjedhin ndërmjet 3 kandidaturave që janë renditur të parat.

Temat
LajmeRajon

Të afërta