Ja ku janë të punësuara gratë e ministrave të Qeverisë së Kosovës

Thuajse të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar i kanë gratë e punësuara. Shumicës iu punojnë gratë në sektorin publik.

Nëpër ministri, kompani publike dhe në arsim janë disa nga dikasteret që janë të punësuara gratë e qeveritarëve, raporton Indeksonline.

Ndërsa as shefit të Qeverisë, Isa Mustafës, nuk i punon gruaja diku.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti e ka gruan të punësuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ku pagë vjetore ka 5 mijë e 783 euro.

Ministrit të Diasporës, Valon Muratit, gruaja i punon në Ministrinë e Financave, ku pagën vjetore e ka 13 mijë e 234 euro.

Burri i ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykemete Bajrami, punon në PTK, ku pagë vjetore ka 19 mijë e 680 euro.

Mahir Yagcilar, ministri i administratës publike nuk ka plotësuar formularin për të hyrat e bashkëshortes, që i bie se nuk e ka të punësuar edhe përkundër që është shef i të gjithë administratës shtetërore.

Ljubomir Mariç, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk e ka të punësuar gruan, nëse është i martuar. Ai nuk ka plotësuar formularin për pagën e bashkëshortes në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ministrit të Arsimit, Arsim Bajramit, gruaja i punon në fushën që ai udhëheq, atë të arsimit.Ajo merr pagë 420 euro në muaj si mësimdhënëse në shkollën e mesme “Hoxhë Kadriu” në Prishtinë dhe 1 mijë euro honorar në kolegjin AAB, raporton Indeksonline.

Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashit ka të punësuar bashkëshorten në “Forsakringassa” dhe ka të ardhura 4 mijë euro, por pa specifikuar a është pagë mujore apo vjetore.

Bashkëshortja e ministrit të Integrimeve Bekim Çollakut nuk është deklaruar institucioni ku punon, përveç se thuhet se vendi është në Sllatinë. Bashkëshortja e Çollakut merr pagë vjetore 11 mijë e 671 euro.

Bashkëshortja e ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi punon në Universitetin e Prishtinës, dhe ka të hyra vjetore 8 mijë e 400 euro.

Bashkëshortja e ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, vlerën e të hyrave vjetore e arrin në shumën 5 mijë e 776 euro, ku burim e ka ndërmarrjen “FAST SHPK” në Kaçanik.

Ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmanit, bashkëshortja i punon në Bondstel, ku të ardhura ka 2 mijë e 71 euro, pa u specifikuar a është rrogë mujore a po vjetore.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në Agjencinë Kundër Korrupsionit, nga bashkëshortja e ka të deklaruar vetëm pagën mujore të saj e cila arrin vlerën në 490 euro, pagë kjo që vjen nga profesioni i saj si arsimtare në shkollën fillore “Naim Frashëri”.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqit nuk e ka deklaruar se ku punon bashkëshortja e tij. Në raportin e deklarimit të pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsionit, nuk figuron askund vendi i punës së gruas së Krasniqit, aty figurojnë vetëm kursimet e saj që kapin shifrën prej 1 mijë euro.

Gruaja e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilecit, aktualisht është e punësuar në dy vende pune, në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga i cili merr pagë 200 euro në muaj dhe në Post Telekomin e Kosovës që paga e saj është hiq më pak se 1 mijë e 86 euro.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se bashkëshortja e tij punon në Universitetin e Prishtinës, paga e së cilës është 9 mijë e 447 euro.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, gruan e ka të punësuar në Ansamblin e Baletit në Prishtinë. Paga vjetore e bashkëshortes së Shalës është 5 mijë e 580 euro.

Tashmë, ish- ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë, Ferid Agani ka të punësuar bashkëshorten e tij në QKUK që merr pagë në vlerë prej 7 mijë e 400 euro, gjithashtu ajo punon edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, paga e të cilës është 2 mijë e 400 euro.

Dalibor Jevtiq, ministër për Komunitete dhe Kthim nuk ka deklaruar se ku i punon gruaja e tij. Ministri në fjalë ka përmendur bashkëshorten e tij në deklarimin e pasurisë së paluajtshme, e cila ka një shtëpi në vlerë prej 120 mijë euro dhe tokë me vlerë 15 mijë euro.

Temat
LajmeVend

Të afërta