Hasani: Aleksandër Lumezi është i dyshuar për tentim vrasje

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë ndikuar nga shumë akterë nga jashtë për interesa të ndryshme. Kështu u shpreh ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani në “Rubikon” të KTV-së.

“Të gjitha janë kështu siç po i them unë, te tjerat janë gënjeshtra. Prokuroria po gënjen 1 milion për qind”, ka thënë ai, teksa ka folur për aktakuzën se ka falsifikuar nënshkrimin e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, për të cilën ka thënë se nuk mund të jetë e qenë, transmeton Koha.net.

Ai tha se secili vendim në Gjykatë Kushtetuese nënshkruhet vetëm nga personat kompetent dhe çdo gjë tjetër është përrallë.

“Të thuash që është falsifikuar nënshkrimi në Gjykatë Kushtetuese është absurde, nuk ka kuptim”, ka thënë Hasani duke shtuar se atë nënshkrim e bëri në mënyrë elektronike, duke shtuar se se për secilën seancë ekziston transkripti dhe të gjitha janë të publikuara.

“Jam ftuar në seancë por më është thënë që nuk ke të drejtë të votosh. Nuk mund të jesh prezent dhe mos me votu sepse nuk ekziston diçka e tillë”, ka thënë Hasani.

Sipas Hasanit, e gjithë ngjarja është hakmarrje dhe komplot kundër tij. “Kurrë hetime ma herët ndaj meje nuk ka pasë, para 15 prillit nuk ka pasë. Janë sistem i 4-5 vetëve kundër meje”, ka thënë Hasani.

Ndërsa, për rastin e kontratave në kohën kur Hasani ishte rektor i Universitetit të Prishtinës, ka thënë se nuk është marrë fare pasi një gjë e tillë nuk ishte në kompetencën e rektorit.

Rastet për të cilat akuzohet Hasani janë komplote personale e, që sipas tij, vijnë nga prokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Fakti kryesor është që hetimet për të dy rastet ndaj meje kanë filluar në ditën e njëjtë”, ka thënë ai.

Nuk mund të jetë koincidencë që hetimet për të dy rastet kanë filluar në të njëjtën kohë ka thënë Hasani, përderisa potencoi se kjo nuk do t’i dukej njëjtë nëse rasti njëjtë do vinte nga Eulexi.

Ndërsa për kryeprokurorin Lumezi, të cilin e lidh me aktakuzat që i janë ngritur ndaj tij, Hasani ka thënë se ai është i dyshuar për tentim vrasje dhe krim të organizuar.

“E ka thënë prokurori finlandez i EULEX-it, Aleksandër Lumezi është i dyshuar për krim të organizuar dhe tentim vrasje”, ka thënë Hasani duke shtuar se kjo ishte deklaratë publike.

Temat
LajmeVend

Të afërta