Zbardhet dëshmia në polici e drejtoreshës që rrahu fëmijën: Pasi e qëlloja edhe e kam përqafuar fëmijën

Është zbardhur dëshmia e administratores së kopshtit “Diren” në Tiranë, Anjeza Shabani, e cila u filmua duke rrahur një fëmijë nga emisioni “Stop”.

Shabani, ish-moderatore e emisionit “Alarm” u morr dje në pyetje nga Policia. Ajo ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe qante pa pushim.

Para Policisë ajo mësohet të ketë thënë se emisioni “Stop” nuk e ka shfaqur videon e plotë. Shabani pranoi se e ka dhunuar fëmijën, por videoja sipas saj, nuk tregon të vërtetën, shkruan Panorama.

“Videoja është prerë, nuk është e plotë. Unë pasi e qëlloja edhe e kam përqafuar fëmijën. Por ai përsëri nuk pushonte. Unë nuk e dija që fëmija ishte autik. Nuk më kishin thënë. Po të shihni videot e plota shihet që unë e kam puthur dhe përqafuar disa herë”, tha ajo para Policisë duke shpërthyer në lot.

Anjeza Shabani rrezikon tashmë deri në 20 vjet burg për akuzat në fjalë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta