Rrezik nga radikalizmi nëpër burgje

Imamët radikalë dhe të tjerët të dënuar, rrisin rrezikun e shtrirjes së ndikimit të tyre edhe sa janë nëpër burgje. Kjo ka bërë që të shtohet mbikëqyrja ndaj tyre nëpër burgje. Personat e dënuar për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes fetare vazhdojnë të jenë nën llupën e institucioneve të sigurisë edhe brenda burgjeve ku janë duke e vuajtur dënimin.

Kjo për arsye se ata vazhdojnë të konsiderohen persona të rrezikshëm edhe brenda burgjeve, sidomos në përhapjen, indoktrinimin dhe rekrutimin me ideologji ekstremiste për të burgosurit e tjerë.

Në një intervistë të dhënë për “Zërin”, u.d. i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, ka bërë të ditur se të gjithë të dënuarit apo të dyshuarit për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me terrorizëm e që gjenden në qendrat e paraburgimit apo duke e vuajtur dënimin në burgjet e Kosovës, janë në mbikëqyrje të këtij shërbimi 24 orë në ditë dhe çdo sjellje e tyre vazhdon të jetë në vëzhgimin e pjesëtarëve të shërbimit korrektues.

Gjatë kësaj interviste, me theks të veçantë i është kushtuar rrezikshmërisë së të dënuarve për veprat penale që kanë të bëjnë me radikalizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, si dhe mundësisë së përhapjes së ideologjisë ekstreme nga këta persona në të burgosurit e tjerë.

Zogaj e ka pohuar se mund të ketë ndonjë rast ku këta persona kanë bërë përpjekje për t’i bashkëndarë mendimet e tyre me të burgosurit e tjerë, por ato raste janë të rralla dhe se Shërbimi Korrektues i ka në vëzhgim këta persona në të gjitha aktivitetet e tyre.

Ai po ashtu gjatë kësaj interviste ka folur edhe për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar ky shërbim. /Zëri/

Temat
LajmeVend

Të afërta