Referendumi – 48 orë para Brexit, Cameron apel britanikëve për votën pro BE-së

David Cameron u ka bërë thirrje britanikëve të mendojnë për “shpresat dhe ëndrrat” e brezave të ardhshëm në një apel të drejtpërdrejtë ndaj tyre për të votuar pro qëndrimit në Bashkimin Evropian.

Cameron tha se nuk do të rekomandonte qëndrimin në union, nëse nuk ishte i bindur se kjo do ta bënte Mbretërinë e Bashkuar më të sigurt dhe më të begatë.

“Do të jeni vetëm ju në dhomën e votimit. Vetëm ju, duke marrë vendimin që do të ndikojë në të ardhmen e fëmijëve dhe të nipërve tuaj. Besoj thellë nga gjithë këto vite eksperiencë se do të jemi më të fortë, më të sigurt dhe më mirë nëse qëndrojmë brenda Bashkimit Evropian. Për ta thënë më qartë, ekonomia jonë do të jetë me e fuqishme nëse qëndrojmë, nëse largohemi, ajo do të vihet në rrezik. Do të rrezikojmë vendet e punës dhe për pasojë familjet dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, pasi kjo votë nuk ka kthim pas”, tha Cameron.

Teksa kanë mbetur më pak se 48 orë ku britanikët do t’iu drejtohen kutive të votimit në referendumin që do të vendosë fatin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të britanikëve , presioni është rritur tek të dyja palët të cilat lëshojnë apel të vazhdueshme për argumentet e tyre.

Cameron ka venë theksin tek benefitet që sjell qëndrimi në BE, duke theksuar në mënyrë të veçantë ekonominë.

Por ai ka shtuar se bashkëpunimi me Agjencitë e Inteligjencës së vendeve evropiane e ka bërë më të lehtë luftën ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Ish-këshilltari i Cameron, Steve Hilton, i cili mbështet largimin nga BE e konsideroi një deklaratë të çuditshme këtë të Kryeministrit britanik, duke thënë se ai ka humbur argumentin ekonomik dhe ka lënë mënjanë çështjen e emigracionit.

Kurse Ministri i Drejtësisë, Michael Gove, më herët deklaroi se Mbretëria e Bashkuar thjesht kërkon të kontrollojë më mirë kufijtë e saj të jashtme dhe se qëndrimi i Britanisë në union është në interes të vendeve si Gjermania dhe Franca.

Sakaq sondazhet e fundit kanë lëvizur me një diferencë mbi 7 përqind në favor të votës pro qëndrimit në Bashkimin Evropian.

Temat
BotëLajme

Të afërta