Prishtinasit kërkojnë më shumë shkolla dhe çerdhe

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka mbajtur dëgjimin e radhës publik me qytetarë.

Një ndër shqetësimet e ngritura të qytetarëve të pranishëm në sallën e Kuvendit Komunal drejtuar kryetarit Ahmeti ishte edhe mungesa e shkollës, çerdhes dhe ambulancës në lagjen “Veternik” të kryeqytetit.

Ahmeti u tha qytetarëve se mos realizimi i ndërtimit të këtyre tri objekteve, ka ngecur për shkak të refuzimit të banorëve të kësaj lagje për shkëmbimin e pronës private me komunën në mënyrë që të sigurohet hapësira e nevojshme për ndërtim.

“Sa i përket lagjes së Veternikut dhe mungesës së shkollës, çerdhes dhe ambulancës, Komuna i ka pasur të ndara 450 mijë euro për ndërtimin e shkollës, mirëpo asnjë prej banorëve nuk pati treguar gatishmëri që pronën private ta shkëmbejë me komunën për të siguruar hapësirë për ndërtim”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti inkurajoi qytetarët e asaj lagje gjithashtu që të legalizojnë objek tet e tyre të ndërtuara pa leje dhe t’i paguajnë shërbimet komunale, sepse kjo është e vetmja mënyrë që të sigurohen shërbimet më të mira dhe më efikase.

Ndërkaq i pyetur rreth organizimeve e festimeve dhe aktiviteteve të ndryshme në sheshin “Zahir Pajaziti”, Ahmeti ka thënë se vetëm 25 për qind e kërkesave të parashtruara nga komuna e Prishtinës janë miratuar. Ai madje ka shtuar se të gjithave u është lejuar aktiviteti vetëm deri në orën 23:00.

“Vetëm afër 25 përqind e kërkesave për organizimeve janë miratuar dhe që të gjitha kanë leje vetëm deri në ora 23:00 dhe jo më tepër”, është përgjigjur Ahmeti.

Dëgjimi publik ka vazhduar edhe me diskutime për subvencionimin e prindërve për koston e çerdhes, planin rregullativ të lagjes “Kalabria”, emërtimin e rrugëve në Prugovc si dhe transportin publik në Koliq. Në këtë diskutim të pranishëm ishin edhe drejtorët e Drejtorive Komunale të Prishtinës.

Temat
LajmeVend

Të afërta