Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë do të shqyrtojë nesër iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së kryqit në Butel. Sipas profesorit Osman Kadriu, kushtetuesja nesër ka dy mundësi: ose të kalojë iniciativën në fazën tjetër, që më pas nënkupton abrogimin e vendimit, ose ta hedhë poshtë atë si të pabazë që në seancën e parë.
“Në qoftë se gjykata kushtetuese e pranon iniciativën dhe merr vendim për ngritjen e procedurës, atëherë të presim se edhe në seancën kryesore ajo do të përcaktohet se vendimi në fjalë është antiligjor dhe antikushtetues. Në qoftë se në seancën e parë, gjykata e hedh iniciativën atëherë çështja përfundon, procedura përfundon dhe nuk ka vendim pozitiv dhe do të ngeli kryqi aty ku është i vendosur edhe themeli i tij”, deklaroi profesori Osman Kadriu.
Bashkimi Demokratik për Integrim këmbëngulte se kryqi është miratuar brenda një vendim për pajisje urbane, pa qenë i specifikuar si i tillë. Duke marrë në konsideratë këtë tezë të BDI-së, i cili vë në pikëpyetje përdorimin e drejtë të parimit të Badenterit, Kadriu thotë se kushtetuesja duhet doemos ta shfuqizojë vendimin.
“Vijmë në përfundim se vendimi për vendosjen e kryqit është edhe në kundërshtim, jo vetëm me kushtetutën dhe ligjin por edhe në kundërshtim me planin urbanistik. Në qoftë se me planin urbanistik nuk parashikohet vendosja e kryqit, atëherë ai vendim duhet të abrogohet dhe gjykata e ka këtë përgjegjësi”, tha Kadriu.
Iniciativa në Gjykatën Kushtetuese u dërgua në mars nga kryetari i LR-PDSH-së Ziadin Sela ndërkohë që vendimi u përcoll edhe me protesta disa ditorë të organizuara nga BDI-ja. Protestat pasuan edhe aktin e dhunës ndaj donatorit të Kryqit, kreut të Kongresit Botëror Maqedonas, Todor Petrov, i cili javë më vonë, pa hequr dorë nga kryqi, në shenjë të zbutjes së pakënaqësisë, u ofrua me idenë për ngritjen e një busti të Fan Nolit.
Nga Komuna por edhe nga vetë Qeveria, refuzuan plotësisht që për pezullimin e ngritjes së kryqit të kishte një marrëveshje politike./Alsat-M/