“Bijtë e luftës në Evropian”

Ecuria e djemve kuqezi në Evropian ka tërhequr vëmendjen e mediave më të mëdha sportive botërore dhe një e tillë është edhe e përditshmja madrilene AS që i kushton një hapësirë të madhe Kombëtares Shqiptare.

Në një shkrim analitik, kjo gazetë kthehet pas në kohë duke e cilësuar vitin 2011 si shumë të rëndësishëm për futbollin shqiptar pasi drejtimin e Kombëtares e mori një trajner me eksperiencë si Gianni De Biasi.

“Në atë kohë, Shqipëria renditej në vendin e 74 të klasifikimit të FIFA-s dhe kishte në përbërje lojtarë me cilësi modeste. De Biasi nuk ndikoi vetëm në rritjen e skuadrës, por revolucionarizoi modelin e seleksionimit të lojtarëve. Bashkë me asistentët e tij udhëtoi drejt vendeve ku shumë vite më parë kishin emigruar shqiptarë duke u vënë në ndjekje të talenteve”, thekson AS që propozon edhe një intervistë të trajnerit italian, i cili deklaron se ka udhëtuar në mbi 70 vende për të bindur lojtarët t’i bashkoheshin projektit të tij, transmeton Supersport.

“Ai arriti të kontaktonte me shumë shqiptarë të talentuar, veçanërisht në Zvicër. Eksodi i viteve 90 nga Shqipëria dhe Kosova i zhvendosi shumë shqiptarë nëpër Europë dhe sot në Kombëtaren Shqiptare luajnë 12 djem të rritur në Zvicër”, shton më tej e përditshmja spanjolle.

Në fund, AS veçon një detaj shumë domethënës, faktin që De Biasi tashmë me pasaportë shqiptare, arrin të këndojë edhe himnin shqiptar.

“Ai dhe bijtë e luftës rreth dy dekada pas konfliktit të Kosovës e çuan Shqipërinë në Europian. Qeveria i shpërbleu me një milion euro. Tani vjen pjesa më e rëndësishme sepse futbolli duhet t’i shpërblejë”.

Temat
Sport

Të afërta