Zafir Berisha: Hashim Thaçi e Isa Mustafa u pajtuan që demarkacioni të jetë kusht shtesë!

Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, ka thënë se për krejt këtë situatë të krijuar përgjegjësinë kryesore e bart ish-kryeministri dhe tani president i vendit, Hashim Thaçi, dhe vartësitë tij, pa përjashtuar edhe kryeministrin e tanishëm, Isa Mustafa, që ka rënë në grackën e Thaçit dhe mund të jenë pajtuar së bashku që si kusht shtesë për liberalizimin e vizave të futet edhe Demarkacioni, një precedent që nuk ka ndodhur deri më tani, me asnjë shtet tjetër.

“Personi kyç dhe përgjegjës është Hashim Thaçi për gjithë këtë mjegull që ka krijuar, edhe karshi këtij procesi. Nëse pyetemi se interesi i kujt është e gjithë kjo lojë që ka rrezikuar stabilitetin në vend, që e ka destabilizuar dhe rrezikuar demokracinë e re në vend, prapë më duhet të them se shkaktar i krejt kësaj është Hashim Thaçi.

Sa i përket Demarkacionit, që u kamuflua si kusht për liberalizimin e vizave, tani po shihet ashiqare që edhe vetë deputetët e kanë pranuar dhe po e thonë publikisht, ngase e kanë ditur edhe më herët, se nuk është në interesin tonë dhe nuk do të kalojë kurdo që nxirret për ratifikim në Kuvend.

Tani për pasojë të kësaj situate që ka krijuar kjo “kompani”, përveçqë duhet të shkojnë në shtëpi Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, së bashku me Murat Mehën, ata duhet të nxirren para drejtësisë dhe të përgjigjen në përputhje me ligjet e Kushtetutën e vendit, jo vetëm për tradhti ndaj atdheut, por thjesht edhe për gjithë këtë ngecje të madhe që kanë shkaktuar në proceset e deritanishme zhvillimore për vendin”, u shpreh Berisha për “Kosova Sot”.

Berisha madje ka pohuar se edhe ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, jo rastësisht ka thënë në mediumin publik që Demarkacioni nuk është kusht për liberalizimin e vizave, por janë veprime të tjera në sundimin e ligjit, prandaj jo vetëm ministri Çollaku, por ka pasur paraprakisht edhe diplomatë të tjerë evropianë që janë deklaruar të habitur se si u bë që Demarkacioni të bëhet kriter për vizat.

“Pra, që nga fillimi ne kemi dyshuar se këto gjëra janë të shtyra nga presidenti Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa si kryeministër i Kosovës që të futet si kriter edhe Demarkacioni, derisa vetë raportuesja për Kosovën për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, nga Sllovenia, ka qenë e habitur për këtë kusht të pakusht, prandaj kjo dyshohet se ka ardhur si imponim nga një dorë e caktuar, që ta marrë dhe pranojë edhe dikush nga evropianët se është kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave. Pra, këtë e bëjnë vetëm të inkriminuarit dhe të korruptuarit”, u shpreh Berisha.

Temat
LajmeVend

Të afërta