Krasniqi ua jep një propozim të ri koalicionit qeverisës, për çështjen e Demarkacionit!

Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si duket ka ndryshuar mendjen e disa prej deputetëve të koalicionit.

Ishte Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili para disa ditësh deklaroi se kufiri me Malin e Zi ka pasur zhvendosje pesë kilometra në brendi të vendit tonë. Ndërsa, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri potencoi se ka ende hapësirë që të rishikohet demarkacionin me shtetin fqinj.

Deklaratat e deputetëve të dy subjekteve të para në vend nuk po shihen të jenë serioze nga Jakup Krasniqi. Kësisoj, kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nisma për Kosovën” në një prononcim për Indeksonline thotë se deputetët e LDK-së dhe PDK-së shpeshherë kanë votuar kundër vullnetit të tyre, me “urdhra” të shefave.

“Në rend të parë ne nuk e dimë sesa janë serioz deputetet, shefat e të cilëve kanë deklaruar sa e sa herë se Demarkacioni është në rregull. Ne, shpeshherë deputetet e këtij koalicioni qeverisës i kemi parë që të marrin vendime tepër të rëndësishme për vendin jo mbi vullnetet e tyre, por ashtu sic ju kanë diktuar shefat e tyre. Pra ishin shefat e tyre që i orientonin votat e tyre andej kah ishte interesi i tyre personal”, ka thënë ai.

Megjithatë, Krasniqi thotë se nëse vërtetë deputetet e dy partive të koalicionit, kanë ndërruar mendje, puna e parë që duhet ta bëjnë është që të kërkojnë nga organet kompetente të marrin hapa në drejtim të Demarkacionit.

“Pra, duhet të kërkojnë nga kryeministri shkarkimin e Komisionit qeveritar për demaskimin e kufirit, ndërtimi i një komisioni të ri, ku do të përfshiheshin edhe ekspertet kundërshtues, e tek pasta Marrëveshja t’i dërgohet Kuvendit për miratim. Dëshiroj që kjo kundërshti të jetë serioze dhe deputetët të jeni aty për t’i mbrojtur interesat e vendit e jo interesa meskine të askujt. Por, kjo duhet të shihet sesa serioze është”, është shprehur Krasniqi.

Ish-kryeparlamentari tha se për marrëveshjen e deri tashme të demarkacionit duhet të ketë edhe përgjegjësi politike. “Kuptohet që përgjegjësia nuk është e ekspertëve të Komisionit, por e shefave të tyre”, ka thënë ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta