Prizren, disa zyrtarët paguhen nga dy herë

Pagesa pa procedura të prokurimit, planifikim jo i duhur i buxhetit, dobësi në kontratat e koncesioneve dhe qiradhënies, mungesa sistemit të regjistrimit të pasurisë, janë disa nga gjetjet që Auditori i Përgjithshëm i ka publikuar për Komunën e Prizrenit.

Sipas Auditorit, pagesat e testuara në vlerë prej 1,400€, të komisioneve të ndryshme të themeluara me vendime të kryetarit të Komunës, nuk janë të rregullta, meqë shumica e anëtarëve që ishin përzgjedhur në borde ose komisione, janë zyrtar në komunë, dhe se takimet janë mbajtur gjatë orarit të punës.

Siç thuhet në raport, pagesat për pjesëmarrje në borde dhe komisione janë në kundërshtim me nenin 80 të LMFPP.

“Kontrata për transmetimin e spotit reklamues në televizion në shumë vjetore 3,600€, është nënshkruar nga drejtori i administratës, duke mos zhvilluar procedura të prokurimit; Në bazë të vendimit të dt. 6.11.2015, një OJQ“AZHR-JUG” i është paguar shuma prej 9,863€, si mbështetje financiare për organizimin e konferencës ndërkombëtare me gazetarë dhe shoqërinë civile për promovimin e turizmit. Pagesa ishte bërë nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa asnjë element nuk përfaqësonte kushtin që pagesa të bëhej nga kjo kategori. Komuna shfrytëzon kartelat mbushëse si formë e sigurimit të shërbimeve të telefonisë mobile. Shpenzimet e këtyre mbushjeve gjatë vitit 2015 ishin 44,349€. Komuna nuk kishte një kontratë të vetme për marrjen e shërbimeve të telefonisë Mobil”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur se Komuna e Prizrenit ende nuk e ka të caktuar një zyrtar të logjistikës, dhe rrjedhimisht edhe nuk ka arritur të regjistrojë të gjitha pasuritë e përfituara në vitin 2015.

Gjithashtu, pasuria që është nxjerrë jasht përdorimit si pasojë e vjetërsisë apo dëmtimit, ende nuk është hequr nga regjistri i pasurive.

Raporti i Auditorit flet edhe dobësi në kontratat e koncensioneve dhe qiradhënies.

“Komuna kishte tri kontrata me ”IS-Compani” për shfrytëzimin e hapësirës të pronës Komunale për tregje. Në fund të vitit borxhi i pa paguar nga kjo kompani ishte 171,500€. Komuna kishte kërkuar që qiramarrësi të paguajë borxhin paraprak për të vazhduar shfrytëzimin e pronës Komunale, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur ndërsa kompania vazhdon shfrytëzimin e pronës edhe pse kontratat për shfrytëzim e kësaj prone vetëm kishin skaduar qysh prej 01.08 2013. Për më tepër ky qiramarrës është shpërblyer nga Komuna me një kontratë për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave në vlerë vjetore prej 141,523€. Qiramarrësi” „Alcom Construction” ka kontratë me Komunën për shfrytëzimin e pronës Komunale me koncesion. Obligimi i kompanisë në fund të vitit 2015 ishte në vlerë prej 14,580€, ndërsa inkasimi ishte zero (0); si dhe Qiramarrësi”Fatoni-AU” për shfrytëzimin e hapësirës se tregut “Bajram Curri” I kishte mbetur borxh Komunës shumen prej 96,386€”, thuhet në raport.

Gjithashtu, gjatë vitit 2015 Komuna kishte nënshkruar kontrata me 21 shfrytëzues të hapësirave publike, edhe pse këta përfitues nuk kishin kryer obligimet e viteve paraprake, ku borxhi i tyre arrin vlerën prej 25.762 euro.
Ndërsa, për kontratat për shërbime të veçanta, raporti thotë se menaxhmenti nuk i ka zbatuar kontrollet e duhura lidhur me politikat e kompensimeve dhe kompletimin e dosjeve, për të siguruar se veprohet në pajtim me kërkesat e ligjit dhe rregulloret aktuale.

“Në drejtoritë Komunale, ishin punësuar mbi 120 zyrtarë me kontratë për shërbime të veçanta, prej të cilëve 12 zyrtarë në drejtorinë e urbanizmit me kohë zgjatje me shumë se gjashtë muaj; Ndërsa në drejtorinë arsimit, në pesë raste kemi vërejtur se janë paguar nga dy deri tre muaj pa kontratë pune, si dhe tri raste ka ndryshime ndërmjet shumës së pagës në kontratë dhe pagesës së pagës mujore; Në dy raste të punësuarit kishin kontratë valide, por prej muajit shkurt deri në qershor, përkatësisht pesë (5) muaj nuk janë kompensuar fare ; Pagesat për kompensime për mbajtjen e mësimit jo formal të mësimdhënësve, stafit menaxhues dhe ndihmës, nuk ishin bërë sipas përqindjeve apo tarifave të përcaktuara me rregulloren për mbledhjen dhe shpenzimin e të hyrave vetjake dhe; Dëshmitë për vitet e përvojës së punës të stafit mësimdhënës në drejtorin e Arsimit nuk ishin të pasqyruara në një vendim të vërtetuar nga zyrtarët e autorizuar të personelit, si bazë për pagesat e përvojës së punës”, thuhet në raport.

Auditori i Përgjithshëm i kujton Komunës së Prizrenit se nënshkrimi i kontratave duke anashkaluar procedurat e hapura të konkursit, është jo-transparent dhe diskriminues ndaj kandidatëve konkurrent.

Sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm, Komuna e Prizrenit ka pas një planifikim jo të duhur të buxhetit, dhe realizimi i tij ka qenë i ulët.

Temat
LajmeVend

Të afërta