KQZ shkel ligjin me ushtrues detyre

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), vazhdon të funksionojë në gjashtë pozita udhëheqëse me ushtrues detyre që nga viti 2013. Kurse, sipas ligjit për Shërbimin Civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të punojë më shumë se tre muaj.

Kështu thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, ku theksohet se KQZ ka implementuar në tërësi vetëm një numër të vogël të rekomandimeve që i ka dhënë Auditori I Përgjithshëm në vitin 2015.

KQZ, gjithashtu, nuk ka krijuar procedura formale dhe të dokumentuara të identifikimit, e si rrjedhojë e kësaj mungon një regjistër konkret i rreziqeve.

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm tregon edhe për mangësi në menaxhimin e kontratave në KQZ, e edhe për gjashtë pozita udhëheqëse, të cilat vazhdojnë të mbahen nga ushtrues detyre që nga viti 2013.

Sipas Auditorit, KQZ nuk ka vendosur kontrolle efektive në menaxhimin e kontratave publike.

“Mos azhurnimin e planeve të menaxhimit të kontratave, implementimit dhe përmbylljes së tyre, si dhe vonesë në realizim të kontratës; në një rast, OE nuk kishte përfshirë në faturë zbritjet e parashikuara me kontratë prej 1,1% të vlerës se faturuar, derisa menaxheri i kontratës nuk e kishte evidentuar këtë. Kjo ishte identifikuar nga zyrtari certifikues, i cili nuk e ka procesuar më tutje këtë faturë; Në katër raste raporti i pranimit të SIMFK-së, nuk ishte nënshkruar nga zyrtari i certifikuar për pranim por nga menaxheri i kontratës; dhe Si rezultat i mos definimit të qartë të kushteve kontraktuale për aviobileta, ishin krijuar paqartësi rreth obligimeve në vlerë 8,116€. Me kërkesë të OE, ky obligim ishte paguar nga Thesari”, thuhet në raport, transmeton KP.

Auditori ka identifikuar edhe mos-përputhje mes organizimit hierarkik aktual të strukturës organizative të përcaktuar me rregullore.

“Kryetarja e KQZ-së duhet të sigurojë se organizimi i brendshëm i sekretariatit të KQZ-së bëhet komfor strukturës organizative të përcaktuar me Rregulloren aktuale. Gjithashtu të bëhet një rishikim i rregullimeve ekzistuese të delegimit të përgjegjësive dhe llogaridhënies. Në rastet kur detyrat e KE ushtrohen përkohësisht nga ndonjë zyrtarë tjetër, delegimi i përgjegjësive duhet të evidentohet me shkrim dhe të dhënat të mbahen në Planin e delegimeve të MF-së”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, në KQZ janë gjashtë pozita udhëheqëse që vazhdojnë të mbahen me ushtrues detyre që nga viti 2013.

Auditori i Përgjithshëm i kujton KQZ-së se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre për më tepër se tre muaj është në kundërshtim me Ligjin e Shërbimit Civil.

“Gjithashtu për më shumë se dy vite KQZ nuk ka arritë që të plotësojë katër pozita të lira, edhe pse të aprovuar me ligjin e buxhetit. Vitin paraprak KQZ kishte filluar procesin e rekrutimit, porse i njëjti ishte anuluar për shkak të angazhimeve rreth procesit zgjedhor, por duke mos vazhduar më pastaj me procedurat e rekrutimit”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, mbajtja e pozitave me ushtrues detyre nuk siguron se punët realizohen me përgjegjësi të plotë.

Gjithashtu, në raport thuhet se mos plotësimi i pozitave të lira mund të ketë efekt në mos-përmbushjen e detyrave dhe mos realizimin e planeve të punës.

Auditori i Përgjithshëm rekomandon kryetaren e KQZ-së që për pozitat e udhëhequra me ushtrues detyre të bëhet një zgjidhje e qëndrueshme në pajtim me kërkesat ligjore, dhe të sigurojë që procedurat e rekrutimit për plotësim të pozitave të lira të fillojnë me kohë.

Temat
LajmeVend

Të afërta