Bilall Sherifi: Mashtruesit e vetëm në testin e maturës janë Ministria e Arsimit

Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se Ministria e Arsimit po përpiqet ta mashtroj publikun gjoja se sistemi është funksional, me përjashtimin e një nxënëseje nga testi i maturës, të cilën e kishin kapur duke kopjuar.

Lexoni postimin e plotë:

KOPJUESIT JANË VIKTIMA TË SISTEMIT TË DËSHTUAR TË TESTIMIT TË MINISTRISË SË ARSIMIT- MASHTRUESIT TË VETËM NË KETË PROCES!

Dje në një shkollë të Gjilanit mbikëqyrësit e Ministrisë së Arsimit të Kosovës gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të testit të maturës e “kapën” një vajzë duke kopjuar! Dhe, kur e “kapën” nuk nguruan ta përjashtojnë menjëherë nga testi dhe ta nxjerrin nga objekti i shkollës.

Duke vepruar në atë mënyrë me të, ata e shndërruan vajzën në një shembull përmes të cilit donin të dëshmojnë se Ministria e Arsimit si organizatore është e aftë dhe e vendosur që të kapë dhe të ndëshkojë të gjithë “mashtruesit” të cilët po i hedhin hije të zezë këtij procesi, sipas tyre, të organizuar mirë dhe shumë të suksesshëm!

Duke u kujdesur që në publik të prezantojë “fakte” për kapjen e disa “kopjuesve” në të gjitha komunat e Kosovës, ministria përpiqet të mashtrojë publikun se gjoja sistemi funksionon, i cili është aq funksional saqë është në gjendje që edhe ata pak “nxënës mashtrues” në Kosovë ti kapë dhe ti ndëshkojë!

Çfarë tallje e pashembullt dhe e padurueshme me publikun në tërësi!!!

Njoftimet e djeshme të medieve nga tereni thonë se kopjimi nuk ishte sporadik por i përhapur në masë bukur të madhe. Kur lexon këto njoftime del se i tërë procesi është një dështim i rradhës i sistemit të arsimit në tërësi dhe një mashtrim i madh i Ministrisë së Arsimit në veçanti, të cilin në vend se ajo ta pranojë si të tillë, po përpiqet ta fsheh duke iu bërë linçim publik atyre që i ka kapur duke kopjuar, të cilët për mendimin tim, jo vetëm që nuk janë mashtrues por janë viktima të sistemit të ngritur nga mashtruesit e qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Arsimit.

Madje, jo vetëm nga kjo e tashmja por nga të gjitha Ministritë e Arsimit të të gjitha qeverive të deritashme të Kosovës.
Mirëpo, jam shumë i bindur se, duke i kapur disa “mashtrues” të vegjël nëpër shkollat e vendit, Ministria e Arsimit nuk do të mund ta fsheh mashtrimin e Madh që po mundohet t’ia bëjë tërë shoqërisë, me pretendimet se gjoja ky sistem i testimeve e bën vlerësimin objektiv të njohurive të nxënësve.

Konsideroj se është koha e fundit që të fillojmë të angazhohemi për ta shëruar sistemin e ngritur nga ministria që infekton nxënësit dhe tërë procesin e edukimit.

Temat
LajmeVend

Të afërta