Kufiri Norvegji-Finlandë, realitet i kundërt mes Kosovë-Mal i Zi

Derisa opozita ka më shumë se gjashtë muaj që me të madhe thotë se Kosova po humb më shumë se 8000 hektarë tokë në marrëveshjen për Demarkacionin me fqinjin e saj Malin e Zi, në një pjesë tjetër të Evropës, dy fqinjë me histori të ndryshme ndaj kësaj Kosovë-Mal i Zi, çështjen e tokës e kanë marrë shumë më shtruar.

Duke mos pasur asnjë element të ngjashëm, mes fqinjëve skandinavë, Norvegjisë e Finlandës, mund të ndodhë lehtësisht falja a shkëmbim tokash – madje edhe vetëm sa për dhuratë.

Tash vonë disa aktivistë në Norvegji kanë propozuar të lëvizin kufirin e tyre pak më në perëndim, që t’iu japin fqinjëve finlandezë një maje mali, njofton The Independent, përcjell Klan Kosova.

Një fushatë në media sociale, e iniciuar nga Bjorn Geirr Harsson, një punonjës në pension i Autoritetit Norvegjez të Hartave, ka sugjeruar se Norvegjia duhet të shtyjë kufirin e saj lindor për rreth 20 metra, që pika malore “Halti” mund të bëhet pjesë e Finlandës.

Propozimi është menduar si dhuratë për Finlandën, në 100-vjetorin e ditës së pavarësisë së vendit, në vitin 2017.

“Ne nuk na duhet të heqim dorë nga asnjë pjesë e Norvegjisë, ndryshimi mezi do të vërehet”, ka thënë Harsson, 75 -vjeçar, duke folur për sajtin norvegjez, The Local. “Dhe jam shumë i sigurt që finlandezët do të ndjeheshin tepër falënderues”.

“Halti” është vetëm 1365 metra i lartë, nuk është as në 200 majat më të larta të Norvegjisë. Por, Finlanda nuk ka maja malore të sajat, kështu që edhe një majë mali e ultë si “Halti” do të ishte më e larta në Finlandë.

Ende nuk dihet se si do të reagojnë organet zyrtare të Norvegjisës për këtë ide, por ajo që dihet është se Norvegjia, si një vend me demokraci të zhvilluar, i merr nismat qytetare shumë seriozisht. /klankosova.tv/

Temat
LajmeVend

Të afërta