Krasniqi: Për mosefikasitetin tetë vjeçar të EULEX-it, një ditë mund të akuzohet UÇK-ja?!

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën dhe ish kryeparlamentari, Jakup Krasniqi ka drejtuar akuza të shumta lidhur me misionin e EULEX-it, duke thënë se në Kosovë nuk është duke u luftuar krimi e korrupsioni, e as aktorët kryesorë të tij, por po ndiqet politikisht kryevlera e popullit shqiptar – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ai në një shkrim autorial të postuar në rrjetin social Facebook ka shtuar se në kohën kur përkëdhelet Serbia, duke i amnistuar kriminelët serbë për krimet e kryera e të konfirmuara serbe në Kosovë, i gjithë presioni i ndërkombëtarëve është drejtuar ndaj të ashtuquajturave “krime” të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ja opinioni i plotë nga Jakup Krasniqi:

Cilësdo medie (portal) pot’ia hidhje dje një sy do ta vëreje një lajm: “Në Serbi jetojnë tre mijë të dyshimtë që kanë bërë krime të rënda lufte në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci.”

Ky lajm, më saktë, ky informacion është dhënë nga Sandra Orloviq, e cila është Drejtoreshë ekzekutive e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) në Serbi. Sipas saj, Serbia është bërë oazë e kriminelëve që kanë kryer krime lufte në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, madje gjithnjë sipas saj, “në Serbi jetojnë të paktën 3000 kriminelë lufte”.

Prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, para përfundimit të mandatit ka deklaruar se “vetëm në Beograd jetojnë 80 të dyshimtë për krime lufte”. Këto lajme janë të konfirmuara nga mediat serbe.

Çka tregon kjo që u tha më lart?

Kjo tregon qartë se në Serbi ka probleme serioze për krime të luftës dhe krime ndaj njerëzimit, se kriminelët që kanë qenë bartës kryesorë të krimeve në Kosovë, në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë kanë mbështetjen e shtetit.

Prandaj, kjo që e thotë humanistja Sandra Orloviq duhet të merret me seriozitet nga forcat demokratike në Serbi, sidomos nga Bashkimi Evropian, se për krimet e kryera në Kosovë, nuk mund të ketë kut të ndryshëm, një për serbët e një tjetër për shqiptarët.

Kjo do të thotë se për krimet e luftës dhe krime ndaj njerëzimit duhet të ketë standarde unike ndërkombëtare për këto veprime, kushdo që i ka kryer e kurdo që janë kryer. Nuk ka asnjë dyshim se kriminelët serbë, shkaktarët e tri luftërave e të qindra krimeve, kanë mbetur më ta pandëshkuarit.

Kanë mbetur të pandëshkuar nga Tribunali i Hagës, kurse gjykatat serbe nën maskën kinse po i dënojnë kriminelët, dënimet e tyre s’ishin gjë pos një farse para popullit të tyre dhe sidomos ndërkombëtarëve. Kjo ka bërë që mijëra kriminelë të jetojnë të lirë anekënd Serbisë e dhjetëra prej tyre jetojnë të lirë në Beograd.

Përkthyer në gjuhën shqipe, kjo do të thotë se vendet e Demokracisë Perëndimore, jo vetëm që nuk e kanë obliguar Serbinë që të merret seriozisht me kriminelët serbë apo nuk kanë krijuar një EULEX a Gjykatë Speciale për Serbinë siç po bëjnë me Kosovën, por ata, kriminelët serbë, edhe në Tribunalin e Hagës nuk kanë marrë ndonjë dënim të merituar.

Po këta kriminelë të pandëshkuar janë duke e mbajtur peng demokracinë në Serbi si dhe normalizimine marrëdhënieve Kosovë – Serbi.Të njëjtit janë duke e rrezikuar seriozisht paqen dhe sigurinë në Gadishullin Ballkanik si dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Edhe përkundër të gjitha këtyre ngjarjeve “fantastike”! Sepse. Vuçiqi vazhdon të konsiderohet sot e gjithë ditën si ndërtuesi Serbisë Demokratike!

Në kohën kur përkëdhelet Serbia, duke i amnistuar kriminelët serbë për krimet e kryera e të konfirmuara serbe në Kosovë, i gjithë presioni i ndërkombëtarëve është drejtuar ndaj të ashtuquajturave “krime” të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për ketë qëllim, Perëndimorët i kanë shtyrë qeveritarët e Kosovës, përveç që të themelojnë Gjykatën Speciale me seli në Hagë, duke ia marrë kështu sovranitetin gjyqësorit tonë, ata, dy herë pas heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë, kërkuan që edhe EULEX-it t’ia vazhdojnë mandatin.

Ndoshta nuk do të duhej të ishte problem vazhdimi i mandatit të EULEX-it ( të cilin nuk e kam kundërshtuar), sikur zyrtarë të lartë të këtij misioni të BE-së, gjithë luftën kundër krimit e korrupsionit, të mos e drejtonin ekskluzivisht kundër pjesëtarëve të UÇK-së!

Do t’i kuptoja disi pjesëtarët e këtij misioni sikur të ashtuquajturat “krime” të luftës t’i kërkonin te pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (kjo edhe mund të përtypej disi), por, i gjithë orientimi i këtij misioni, për kohën kur ai është i pranishëm në Kosovë (2008-2016), të ndiqeshin ekskluzivisht për krimet ekonomike e korrupsion vetëm ish-pjesëtaret e UÇK-së, kjo, kryekreje, është një veprim thjesht politik e aspak veprim i drejtësisë!A nuk është ndjekja e krimeve dhe e korrupsionit në mënyrë selektive në vetvete vepër e dënueshme?

Ne një rast të tillë, njeriu s’ka si tëmos i parashtrojë disa pyetje: A thua në qeveritë e pasluftës paskan qenë vetëm njerëz me origjinë nga UÇK-ja? Në institucionet e pavarura, si AKM-ja e cila ka bërë dhjetëra privatizime të kriminalizuara, na paskan qenë me origjinë nga UÇK-ja? Në TRUST e BQK na paskan qenë njerëz me origjinë nga UÇK-ja?

Po, Sistemi i Drejtësisë që është jo efikas dhe i korruptuar edhe ky qenka udhëhequr nga njerëzit e UÇK-së? Se dhjetëra biznese që kanë krijuar monopol, qenkan pronë e njerëzve të UÇK-së? Kështu edhe për mos efikasitetin tetë vjeçar të EULEX-it, një ditë mund të akuzohet UÇK-ja?!…

Për mua është e qartë, nëKosovë nuk është duke u luftuar krimi e korrupsioni e as aktorët kryesorë të tij, por, po ndiqet politikisht kryevlera e popullit shqiptar – Ushtria Çlirimtare e Kosovës, arkitektja e Republikës sonë.

Shikojeni Kabinetin qeveritar, jo vetëm të tanishmin, numëroni, sa ministra ishin e janë me origjinë nga UÇK-ja?! Njeriu duhet të jetë më shumë se miop që të pajtohet me deklarimet politike të shefit në ikje të EULEX-it! Disa veprime të këtyredite të qeveritarëve tanë, tingëllojnë tepër politike, mbase si duket janë edhe pazar politik, ndarja e 500 lëndëve, 490 për Sistemin e Drejtësisë së Kosovës e 10 për EULEX-in?!

Nëse paskan qenë të ditura 500 lëndë, a thua përse u heshtën deri më tani?Madje kush dhe si po e dinë që nuk janë më pak ose më shumë lëndë (kur mbi 4000 lëndë janë në pritje në sirtarët e gjykatave), pse saktësisht janë bash 500 lëndë?! Po vjedhja në dhomën e dëshmive a e plotëson numrin 500?!!!…

Ndaj, konform këtyre paradokseve, më duket farsë kjo që është dhe në krye të këtij shkrimi: A është Vuçiqi një shembull i demokracisë në Serbi?

Temat
LajmeVend

Të afërta