Bajrami: Nuk ka më regjistrime me të njofshëm në universitetet publike

Të gjitha universitetet publike në Kosovë sivjet mund të regjistrojnë vetëm rreth 15 mijë studentë të rinj.

Këtë e konfirmoi ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i cili në një intervistë ëpr KosovaPress tha se tash e dy vjet ka filluar ta ulë këtë numër duke e pas përkrahjen edhe të vetë rektorëve.

Ministri Bajrami tha se Ministria e Arsimit i ka filluar disa politika edhe për orientimin e të rinjve në drejtime të caktuara.

“Të gjitha universitetet janë në proces të debatit për numrin e studentëve dhe këto debate do të përfundojnë dhe propozimet do të vijnë tek ministria.

Ministria po i zhvillon disa politika strategjike për orientimin e këtyre studentëve drejt drejtimeve për të cilat ka nevojë. Vetëm në vitin e kaluar ministria e ka ulur për 30 përqind numrin e studentëve në drejtimet shoqërore siç është Fakulteti Ekonomik, Fakulteti Juridik, Fakulteti fFlozofik, Filologjik, por e kemi ngrirë numrin e studentëve në disa fakultete për të cilat ka nevojë.

Ky trend do të vazhdojë edhe sivjet dhe i kam lutur të gjithë rektorët që përsëri të ulin numrin e studentëve në këto drejtime shoqërore dhe të rrisin dhe të bëjnë një shpërndarje proporcionale të studentëve në shtatë universitetet publike. Pra përsëri do të ketë më shumë se 15 mijë vende për të gjitha universitetet publike. Ka vende mjaft edhe në kolegjet private, është me rëndësi që edhe fushata e këtyre universiteteve dhe kolegjeve të jetë dinjitoze dhe t’iu lejohet maturantëve që ata të përzgjedhin universitetin a po kolegjin që e dëshirojnë”, tha ministri Bajrami.

Ministri Bajrami e quan të arritur të madhe se për kohën sa është në krye të Ministrisë së Arsimit nuk ka regjistrime në fakultet në bazë të njoftësisë dhe ndërhyrjeve nga politika.

Bajrami tha se ky standard deri më tani ka munguar në Universitetet publike të Kosovës.

“Ne nga viti i kaluar e kemi promovuar standardin e pranimit me merita, do të thotë një standard i munguar dhe tani të gjithë e kanë kuptuar që në cilindo universitet nuk mund të pranohen shkelës të meritave dhe ky është një standard i ndërtuar vitin e kaluar. Unë besoj që do të funksionoj dhe ky është një mesazh shumë i fuqishëm i vendosjes së rendit sepse sot nuk mund të ndihmon askush që të regjistrohesh, qoftë niveli politik apo nivelet tjera që dikush të ketë ndikime apo presione për pranim në universitet.

Kjo është një e arritur e shkëlqyer para se gjithash e universiteteve e dekanëve, e fakulteteve, e rektorëve dhe Ministria është shumë e lumtur që tani më nuk kemi presione sepse ju e dini se para dy viteve, me të marrë të detyrës sime kemi pas protesta të grupeve të ndryshme për pranime në fakultete të ndryshme, në Fakultetin e Mjekësisë dhe ato pamje tani i takojnë historisë sepse kemi një vetëdijesim të përgjithshëm që vetëm meritat janë çelës i pranimit në universitet”, tha ministri Bajrami.

Konkurset për regjistrim të studentëve të rinj nëpër universitetet publike pritet të shpallen deri në fund të muajit qershor apo fillimin e korrikut pasi që më 30 qershor pritet të publikohen rezultatet e testit të Maturës Shtetërore, ku nxënësit pastaj kanë mundësi të aplikojnë në institucionet e arsimit të lartë në vend.

Temat
LajmeVend

Të afërta